Policia e Brukselit dhe ajo e Francës zhvilluan sot kontrolle në zyrat e Parlamentit Evropian në Bruksel dhe në Strasburg, si dhe në banesën e një punonjësi parlamentar në Schaerbeek të Belgjikës.
Kërkimet janë pjesë e një hetimi të gjerë për evidentimin e ndikimit rus në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, pasi dyshohet se Kremlini ka paguar deputetë të këtij institucioni për të përhapur propagandë pro-ruse .
Prokurori belg, i cili urdhëroi bastisjet, tha se punonjësi parlamentar i dyshuar kishte një rol të rëndësishëm në operacionin e propagandës ruse, duke konfirmuar se kontrolli lidhet me një çështje që përfshin “ndërhyrje, korrupsion pasiv dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.”
Hetimet e kryera në rezidencën private në Bruksel dhe zyrat e Parlamentit Evropian, janë të lidhura me rastin e quajtur “Russiagate”, ku Eurodeputetët paguheshin për të promovuar propagandën ruse përmes faqes së internetit “Zëri i Evropës”
Deputetët Anders Vistisen dhe Maximilian Krah, të cilët kanë dhënë intervista për Voice of Europë, mohuan të kenë përfituar financiarisht nga këto intervista.
Vistisen tha se intervista ishte pjesë e punës së tij si politikan, ndërsa Krah deklaroi se nuk ka asnjë akuzë specifike për pagesa ndaj tij.
Ky zhvillim vjen vetëm disa ditë para zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, ku rreth 370 milionë votues të BE-së do të zgjedhin anëtarët e rinj, një votë e cila mund të jetë objekt i ndërhyrjes së Kremlinit. /vizionplus.tv