Kështu bëri të ditur Policia e Kosovës, duke shtuar se kamionët ishin të vendosur në vendin e quajtur Përroi i Zhazhës.

“Për shkaqe pune dhe sigurie, nga mëngjesi një korsi e rrugës mbyllet për qarkullim, përderisa në mesditë përreth dy orë do të mbyllet komplet rruga për qarkullim në drejtimin Mitrovicë – Jarinjë, deri sa të largohen mjetet e rënda, për t’u mundësuar qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Disa serbë lokalë kishin bllokuar rrugët në veri të Kosovës, duke vendosur nga 10 dhjetori mjete të rënda në rrugë. Barrikadat u ngritën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës.

Por, Dejan Pantiqit, që sipas autoriteteve në Kosovë dyshohet për “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në fund të dhjetorit iu ndryshua masa e sigurisë.

Ndryshimi i masës së sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak, i hapi rrugë tërheqjes së serbëve nga barrikadat.

Më 28 dhjetor, pas një takimi në Rashkë të Serbisë me përfaqësuesit serbë nga Kosova, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se barrikadat do të hiqeshin. Presidenti serb po ashtu tha se serbët kanë marrë garanci se kërkesat e tyre do të plotësoheshin për heqjen e barrikadave.

Shumica e barrikadave u hoqën në ditën pasuese, por disa ende mbeten. Më 3 janar, KFOR-i largoi kamionët e vendosur në vendin e quajtur Shkëmbi i Dudës.

Për shkak të vendosjes së barrikadave ishin bllokuar rrugët që çonin drejt dy pikave kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Ato më pas u mbyllën përkohësisht për qarkullim.

Po ashtu, për shkak të një bllokade të vendosur në territorin e Serbisë, afër pikëkalimit kufitar të Merdares, edhe kjo pikë u mbyll për qarkullim për dy ditë. Merdarja u zhbllokua për qarkullim më 29 dhjetor.

Qeveria e Kosovës për barrikadat ka akuzuar “bandat kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë. Beogradi, në anën tjetër, ka përkrahur serbët që kishin ngritur barrikada./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *