Autori i dyshuar i një përdhunumi në Greqi, Spartak Dyrmishi, është vënë në pranga nga Policia shqiptare në Vlorë.

 

 

Aksioni është zhvilluar gjatë orëve të mbrëmjes së kaluar.

 

 

Sipas policisë, pas kapjes Dyrmishi ka shprehur vullnetin dhe është dorëzuar në duart e autoriteve greke në orët e para të mëngjesit.

 

Dyrmishi akuzohet për disa përdhunime gjatë këtij muaji në Greqi ndërsa ishte future në SHqipëri në 27 tetor nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës.

 

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe ministri grek Takis Theodhorikakos.

 

 

 

 “Muaj i mbarë. Pas një hetimi metodik dhe identifikimit të autorit dhe me bashkëpunim të shkëlqyer me organet e sigurisë shqiptare, autori i dyshuar i përdhunimit të gruas në Paleo Faliro ndodhet në prangat e Policisë Greke. Ai do të dalë para drejtësisë greke për sjelljen e tij frikacake, çnjerëzore dhe kriminale.”- shkruan ministri.

 

 

Policia e Shtetit

 

Angazhimi maksimal i strukturave të Policisë së Shtetit, reagimi profesional dhe në kohë, çuan në kapjen dhe dorëzimin vullnetar te Policia greke, të 45-vjeçarit nga Vlora, i kërkuar në Greqi, për përdhunim.

 

Policia e Shtetit, menjëherë pas shkëmbimit të informacioneve me homologët grekë, për një shtetas shqiptar që kishte përdhunuar një shtetase dhe kishte tentuar të përdhunonte një shtetase tjetër, organizoi strukturat operacionale për të ushtruar kontrolle të imtësishme në territorin ku dyshohej se fshihej 45-vjeçari. 

 

Pas kërkimeve të pandërprera, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë bënë të mundur kapjen e shtetasit Spartak Dyrmishi, 45 vjeç, banues në Vlorë.

 

Duke qenë se ky shtetas ka shprehur dëshirën e tij për t’u dorëzuar te Policia greke, në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia shqiptare e ka dorëzuar atë në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavije.

 

Gjatë një komunikimi në mesnatë, mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë greke Gjeneral Lieutenant Konstantinos Skoumas u vlerësua bashkëpunimi dhe reagimi mjaft profesional i Policisë shqiptare.

 

Drejtori i Policisë greke, Konstantinos Skoumas e ka falënderuar Drejtorin e Policisë shqiptare, për angazhimin dhe komunikimet e vazhdueshme të realizuara këto ditë, për reagimin e menjëhershëm dhe veprimet profesionale të Policisë shqiptare, të cilat ndikojnë në rritjen akoma më shumë të besueshmërisë nga homologët, forcimin e bashkëpunimit mes palëve, si dhe në rritjen e imazhit të Policisë shqiptare, ndërkombëtarisht.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *