Nga Blerina Cene
Policia e Tiranës iu përgjigj Gjykatës së Posaçme, e cila kërkoi llogari për mungesën, sipas saj, të masave të sigurisë gjatë protestës së zhvilluar nga mbështetësit e Erion Veliajt, kur ky i fundit po njihej me verifikimin e masës “arrest në burg”.
Policia e Tiranës pretendon se, megjithëse nuk është njoftuar, në terren ndodheshin 77 forca policore.
“Seanca gjyqësore ka filluar e qetë, ka vijuar normalisht dhe ka përfunduar pa asnjë problem. Në adresë të shërbimeve policore, as nga Garda e Republikës brenda ambienteve të Gjykatës së Posaçme, as nga prokurorë, gjyqtarë e avokatë, nuk është prezantuar asnjë shqetësim apo të jetë kërkuar ndihmë për vendosjen e rendit dhe sigurisë në ambientet e brendshme apo të jashtme të Gjykatës. Në kuadër të angazhimit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit së seancës gjyqësore, janë angazhuar në total 77 punonjës policie”, njofton policia.
Policia sqaron se tubuesit janë grumbulluar spontanisht përpara Gjykatës së Posaçme.
“Kur grupe njerëzish grumbullohen në mënyrë spontane dhe nuk cenojnë rendin publik, veprimtaria e tyre nuk përfshihet në përkufizimin e tubimit. Siç dhe është konstatuar, qytetarët më 12 shkurt janë grumbulluar në mënyrë spontane dhe pa cenuar rendin publik, ndaj për këto arsye procedura standarde e tubimeve nuk ka gjetur zbatim për vendosjen e kordonit policor, i cili vendoset në vendin e kufizuar për tubim. Çka në rastin konkret, përveçse e panevojshme, do të ishte edhe e pamundur, për shkak se grumbullimi i qytetarëve ka qenë spontan dhe i paralajmëruar”, thuhet në njoftim.
Kur ka pasur forca të shtuara policore në terren, është njoftuar paraprakisht se do të protestohej, thuhet në deklaratë.
“Në rastet e tubimeve të tjera që referohen në shkresën e bërë publike, bëjmë me dije se ato kanë qenë tubime të njoftuara më parë, e për të cilat ka pasur informacione jo vetëm për vendin e grumbullimit, por edhe për tendenca të ushtrimit të forcës nga ana e protestuesve. Kështu që, për pasojë, është zbatuar procedura standarde e kufizimit të perimetrit dhe vendosja e kordonit policor sipas Planit të Masave, të hartuar për tubimet e njoftuara nga organizatorët apo për të cilat janë siguruar informacione të caktuara për zhvillimin e tyre”, tha policia e Tiranës.
Uniformat blu thonë se është e pavend që institucionet të njoftohen përmes mediave e jo institucionalisht.
“Kjo është një praktikë që nuk ka ndodhur më parë, që organet ligjzbatuese komunikojnë përmes mediave, ndërkohë që kanalet institucionale të komunikimit kanë qenë jo vetëm mëse të mjaftueshme, por edhe plotësisht efikase. Për natyrën dhe qëllimet e punës sonë të përbashkët, është domosdoshmëri komunikimi institucional”, thuhet më tej.
Shërbimet e policisë thonë se nuk janë raportuar probleme për pengim të lëvizjes së gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të tjerë të administratës.
Megjithatë, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar një hetim administrativ për këtë çështje. Të premten, Gjykata Antikorrupsion deklaroi se jeta e magjistratëve u vu në rrezik dhe, ndonëse Garda e Republikës kërkoi shtim të uniformave blu pranë institucioneve të posaçme, policia nuk reagoi.
/vizionplus.tv