Me të njëjtën përparësi si luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kryeministri Edi Rama, i kërkon policisë së shtetit luftë kundër ndërtimeve pa leje në të gjithë territorin e Shqipërisë. Kritik ndaj uniformave blu që kanë lejuar ndërtimet e paligjshme para syve të tyre, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare, kreu i qeverisë, theksoi se tanimë nuk duhet të lejohet shfrytëzimi i asnjë milimetri tokë, pavarësisht se kush qëndron pas atij ndërtimi pa leje.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Është e pamundur që një ndërtim pa leje, një ndërhyrje në det në mes të Sarandës, të hidhen gurë e të mbushet me gurë deti e këto të ndodhin pa vajtur këmbë polici për të thënë “ej, ç’janë këto gurë që po hedh në det?” E pastaj të vijë puna deri tek unë dhe pasi ndërhyj unë, për 24 orë të pastrohet, kjo nuk është absolutisht asgjë tjetër, përveçse korrupsion.

 

Po aq nga inspektorët e ndërtimit të çdo njësie vendore, kërkohet që të mos tolerohet asnjë tjetërsim përgjatë zbatimit të një lejeje ndërtimi.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Kur ndërtimet me leje, që kanë një grup të tërë njerëzish që janë pjesë e projektit, konstatohen në abuzim, është detyra juaj t’i merrni të gjithë këta, sepse këta janë pjesëmarrës në krim.

 

Me cilësimin se një epokë e re do të nis kundër paligjshmërisë në fushën e ndërtimit, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se polici i shtetit do të jetë përgjegjës për çdo krim që i bëhet mjedisit me vëmendjen kryesore, të zaptimi i padrejtë i pronës shtetërore dhe private.

 

BLEDI ÇUÇI

MINISTER I BRENDSHEM

Dua t’i kujtoj të gjithë ata dhunues, që nga veriu dhe deri në skajin më jugor të Shqipërisë që do përballen me forcën e ligjit si asnjëherë tjetër. Ta harrojnë celularin e Ministrit të Brendshëm. Kushdo qoftë sado i pasur, sado i mbrojtur që mendon se do jetë, nuk do të tolerohet më dhunë mbi territorin. Po ju kujtoj që shkon deri në 15 vjet dënimi sipas shkallës nga Kodi Penal për ndërtime pa leje.

 

Si ndërhyrje të parë për të ndaluar lulëzimin e ndërtimeve të paligjshme, abuzimin me lejet e ndërtimit,  kryeministri lajmëroi nisjen e një operacioni nga veriu në jug të Shqipërisë për identifikimin e çdo godine të ngritur pa leje.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Jo në mesin e verës kur të vijnë turistët por tani, pa asnjë tolerancë e jo duke shkuar tek ndërtime që janë bërë para 20 vitesh, siç ndodhi për fat të keq në Zvërnec, jo, por duke shkuar për të vendosur një vijë të kuqe që nuk duhet shkelur më nga askush.

 

Në nisje të sezonit turistik, Edi Rama, i kërkoi policisë të përmbushin detyrën e tyre edhe ndaj bizneseve që kthehen në pengesë për trafikun dhe dëmtojnë estetikën me reklamimin e produkteve të tyre përgjatë rrugëve kombëtare.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Në anë të rrugëve kombëtare ku vendosen materiale ndërtimi, varreza makinash, lavamanë, vaska dhe asnjë lloji respekti për sigurinë rrugore, për mjedisin dhe për imazhin e kësaj Shqipërie turistike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *