Albert Dervishaj, Drejtor i Drejtorisë së Rendit Publik, në Departamentin për Sigurinë Publike sqaroi të gjitha masat e marra nga Policia e Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2019 – 2020.

 

Policia e Shtetit në përmbushje të misionit dhe detyrave të përcaktuara ka marrë një sërë masash për të garantuar sigurinë publike, rendin dhe qetësinë, për të parandaluar ngjarje kriminale apo aksidente rrugore, si dhe zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla apo edhe përreth tyre.

 

Sipas tij, Komisariatet dhe Stacionet e Policisë sipas Zonave Policore, për shkollat që kanë në juridiksion, në orët më të ngarkuara të lëvizjes së nxënësve dhe të personelit do të sigurojnë prezencë policore me Patrullën e Përgjithshme, ndihmës specialistët e policimit në komunitet, ndihmës specialistët e policisë kriminale, si dhe shërbimet e policisë rrugore, në afërsi të institucioneve arsimore, sidomos në orarin e fillimit të mësimit, gjatë pushimit të madh apo gjatë ndërrimit të turneve në shkolla dhe deri në përfundim të saj.

 

Drejetuesi I lartë I policisë Albert Dervishaj sqaroi konkretisht disa nga masat e ndërmarra në kuadër të nisjes së vitit të ri shkollor.

 

 

 

 

 

Kufizimin apo ndalimin e parkimit, qëndrimit dhe lëvizjes së automjeteve në segmente rrugore të caktuara pranë shkollave.

Vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale të domosdoshme për disiplinimin e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve.

Mbylljen apo largimin e lokaleve të tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara apo në ndonjë rast dhe lëndë narkotike pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë kanë qenë pika të grumbullimit të personave me precedentë kriminal, përdorues të pijeve alkoolike e narkotike dhe burim rreziku për prishje të rendit publik apo veprime të tjera të dhunshme ndaj personelit mësimdhënës e nxënësve të shkollave.

 Dhënien dhe shkëmbimin e informacioneve me stafin pedagogjik për nxënësit që mund të mbajnë me vete armë zjarri, armë të ftohta apo sende të tjera të forta të rrezikshme dhe mbi bazën e tyre zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës, në prani të mësuesve, oficerit të sigurisë në shkollat e mesme, por nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë.

 Mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme me rojet e shkollave dhe punonjësit e shërbimit të SHPSF-ve, në ato institucione arsimore që e kanë një shërbim të tillë.

 Në zbatim të Vendimit të Qeverisë me nr. 600 të tetorit të vitit 2018, mbi bazën e eksperiencës së projektit pilot të zbatuar në qytetin e Tiranës në 6-mujorin e parë të vitit të kaluar, nga strukturat e Policisë së Shtetit, do të bashkëpunohet ngushtësisht me oficerët e sigurisë në 150 shkollat e mesme në Shqipëri (personel i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, të cilët kanë përfunduar trajnimin në Akademinë e Sigurisë), për shkëmbimin e informacionit, përmirësimin e perceptimit, forcimin e bashkëpunimit midis OSSH-së, nxënësve dhe policisë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *