Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike prezantoi raportin mbi situatën në termocentralin bërthamor të Zaporizhias. Kreu i kësaj agjencie Rafael Mariano Grossi tha se sulmet e vazhdueshme në termocentral ishin të papranueshme, të rrezikshme dhe me pasoja katastrofike në rast shpërthimi.

 

Ai kërkoi krijimin e një zone të çmilitarizuar brenda dhe përreth objektit pasi në uzinë ka dëme të mëdha si pasojë e bombardimeve, por pa përcaktuar se nga cila palë ishin shkaktuar.

 

RAFAEL MARIANO GROSSI

AGJENCIA NDËRKOMBËTARE E ENERGJISË ATOMIKE

Ne po luajmë me zjarrin dhe diçka shumë katastrofike mund të ndodh. Kjo është arsyeja pse në raportin tonë kemi propozuar krijimin e një zone të mbrojtur dhe të sigurisë bërthamore në perimetrin e termocentralit.

 

Sipas grupit të punës të dërguar në Zaporizhia u gjetën në brendësi pajisje ushtarake dhe trupa ruse, gjë e cila shkaktonte ankth dhe frikë te punonjësit ukrainas të centralit dhe mund të rriste rrezikun e ndonjë gabimi njerëzor me pasoja të mëdha.

 

I menjëhershëm ka qenë reagimi nga pala ruse, e cila fajësoi Ukrainën për bombardimet e vazhdueshme të zonës, duke përfshirë edhe ato në momentet kur inspektorët e agjencisë po udhëtonin drejt centralit bërthamor.

 

Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Vasili Nebenzia tha se Agjencia duhet ta evidentonte qartë fajtorin që sipas tij ishte Kievi, ndërsa propozimin për të çmilitarizuar objektin e konsideroi jo serioz.

 

Ndërkohë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mirëpritur thirrjet e OKB për krijimin e një zone të sigurt në central.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *