Subscribe

MIMOZA IBRA

 

GAZETARE

 

“20 kamionë që bëjnë transport mallrash qëndrojnë të fikur sepse mungojnë shoferët. Për të plotësuar vendet boshe, edhe ky sektor po i drejton sytë te tregu i huaj.”

 

Në një ditë normale pune, të 60 kamionët që Rodolf Xhillari administron duhet të ishin në terren, duke ngarkuar dhe shkarkuar mallra. Por prej mungesës së fuqisë punëtore, një pjesë e flotës qëndron e parkuar prej disa javësh tashmë. Sipas Xhillarit, shoferët po emigrojnë drejt Gjermanisë, një fenomen i theksuar më së shumti në vitin e fundit.

 

RODOLF XHILLARI

 

ADMINISTRATOR, KOMPANI TRANSPORTI MALLRASH

 

“Unë në kompaninë time bëj transport me kontejnerë, nga Porti i Durrësit në qytetet e Shqipërisë dhe Kosovë dhe Maqedoni. Problemi i mungesës së shoferëve ka filluar para 3-4 vjetësh. Kjo po na shkakton një dëm të madh sepse siç e shikoni, gjithë këta kamionë qëndrojnë të fikur, kryesisht prej mungesës së shoferave. Shoferat nuk kanë moshë. Ikin të gjithë.”

 

Por pse po largohen edhe shoferët? Arsyeja kryesore, sipas Xhillarit, nuk është pagesa e ulët që ata marrin. Ai shpjegon se një shofer paguhet 25 euro për një rrugë rrugë transporti, pothuajse i njëjti nivel si në Gjermani. Por ndryshe nga Gjermania, shoferët në Shqipëri nuk bëjnë dot shumë rrugë transporti në ditë prej vonesave me kontrollin në port.

 

RODOLF XHILLARI

 

ADMINISTRATOR, KOMPANI TRANSPORTI MALLRASH

 

“Shoferët paguhen pothuajse njësoj si në Gjermani. Shoferi këtu nuk bën dot punën që bën shoferi në Gjermani apo në shtetet e tjera të Evropës sepse pengohet nga shumë procese në Portin e Durrësit, që është në prapambetje të madhe. Sistemet që ka në përdorim sot e kaq vite, po marr një shembull, një rrugë transporti nga Durrësi në Tiranë. Shoferi që të bëjë rrugë, të marrë kontejnerin nga Porti i Durrësit dhe të shkojë ta shkarkojë në magazinën e klientit në Tiranë, nuk diskutohet një ditë, por shkon edhe një javë apo 10 ditë. Sidomos kontejnerët frigoriferë. Një distancë kaq të shkurtër në Gjermani bëjnë 4-5 rrugë në ditë dhe merr shoferi 100 euro në ditë, shoferat tanë bëjnë vetëm një rrugë.”

 

Njësoj si shumë të tjerë, edhe Rodolf Xhillari do të zgjidhë mungesën e shoferëve vendas me ata të huaj.

 

RODOLF XHILLARI

 

ADMINISTRATOR, KOMPANI TRANSPORTI MALLRASH

 

“Ne kemi komunikuar me një kompani, me të cilën kemi bërë një parakontratë për të marrë disa shoferë. Në fillim 20 shoferë nga Egjipti.”

 

MIMOZA IBRA

 

GAZETARE

 

“Pas krahëve të mi po punohet për godinën ku do të qëndrojnë dhe do të akomodohen punëtorët e huaj pasi të vijnë në Shqipëri.”

 

Projekti i godinës përfshin dhoma qëndrimi, gjumi dhe mensë për të ngrënë për shoferët e huaj.

 

Por pavarësisht investimeve të tilla, bizneset i tremben largimit të punonjësve të huaj në vendet e tjera të Evropës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *