Subscribe

ENKELEJDA MEMA

GAZETARE

 

Të shtunën Shqipëria do të ketë presidentin e zgjedhur. Një ditë para se deputetët të mblidhen për të votuar për herë të parë për kreun e ri të shtetit, emri i përzgjedhur nga Partia Socialiste mbetet ende mister.

 

Ai ose ajo pritet të diskutohet pasdite në mbledhjen e kryesisë. Në mbyllje të procesit për zgjedhjen e presidentit të ri, Partia Socialiste nga propozimet e deputetëve të saj, shoqërisë civile dhe populli ka përzgjedhur 10 emra, të gjithë kandidatë të mundshëm.

 

Pas diskutimit të tyre, fjalën e fundit do ta thotë kryesocialisti Edi Rama. Do të jetë ai që do të vendosë nëse emrin e pasuesit të Ilir Metës do të bëjë të ditur sot apo paraditen e së shtunës, kur do të mbledhë të gjithë grupin parlamentar socialist.

 

Mëdyshja për të zgjedhur presidentin e ri në raundin e katërt nuk ekziston.

 

Socialistët zotërojnë më shumë se 71 votat e nevojshme. Madje ata synojnë që ai ose ajo të zgjidhet me 84 vota, disa prej të cilave duhet të rrjedhin nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim apo aleatët e Lulzim Bashës në parlamentaret e një viti më parë.

 

Ajo që dihet është se të 17 deputetët e Partisë Demokratike së bashku me Sali Berishën do të jenë në sallën e kuvendit.

 

Deri më tani, grupi parlamentar që mbështet Enkelejd Alibeaj është i vendosur ta bojkotojë, siç bëri edhe në raundin e tretë të votimit.

 

Mbetet për t’u parë prania ose jo e aleatëve të PD-së. Vullneti është për të qenë, por ai mund të përcaktohet edhe nga emri që do të propozojë Partia Socialiste, nëse është një kandidaturë që përmbush edhe pritshmëritë e tyre për profilin që duhet të ketë presidenti i ardhshëm.

 

Me apo pa votat e opozitës, presidenti për pesë vitet e ardhshme do t’i përkasë socialistëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *