Plazhi i Uçkave është mbi 100 vjeçar dhe vit pas viti atij i bashkohen turistë vendas dhe të huaj.
I pozicionuar në hyrje të qytetit, Bashkia e Pogradecit jo vetëm që e ka rikthyer këtë plazh si vite më parë, por e ka pajisur atë me elementët që i nevojiten një plazhi publik.
Banorët vendas, kryesisht pogradecarë, janë ata më besnikët e këtij plazhi. Në këtë zonë dikur gratë lanin rrobat, ndërsa fëmijët zinin peshk me vazo një traditë që jeton ende në kujtimet e pogradecarëve.
Sot, teksa fëmijët luajnë në rërë dhe të moshuarit bëjnë banjë në liqen, Uçkave vijon të mbajë gjallë një histori që, ndonëse e thjeshtë, mbetet autentike.
“Këtu kemi larë gjithë jetën. Edhe rrobat i lanim këtu. Fëmijët tanë kanë mësuar të notojnë në këtë ujë”, tha një plazhiste.
“Vijmë çdo vit në këtë plazh tradicional sepse është një vend i qetë, uji është i pastër dhe nuk ka zhurmë. Ndaj dhe ndjehemi sikur jemi në shtëpinë tonë.”u shpreh një tjetër.
Këtë sezon, ndryshe nga vitet e mëparshme, rreth 70% e vijës liqenore është shpallur plazh publik. Bashkia ka vendosur çadra për pushuesit, duke garantuar një turizëm të barabartë për të gjithë.
/vizionplus.tv





