Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të hënë platformën StartUp Albania, një projekt ku do të jetë e integruar inteligjenca artificiale për të mundësuar ndarjen e granteve te fituesit në mënyrë të drejtë dhe pa burokraci.
“Është një platformë e cila do të aksesojë të gjitha Startup-et që do të marrin grante përmes inteligjencës artificiale. Pra të gjithë aplikuesit do të shohin nëse janë fitues dhe arsyet pse nuk kanë fituar dhe cilat janë arsyet pse kanë fituar të tjerët. Pra është një proces që lufton burokracitë. Pra fillimi i burokracisë është që thotë jo, hajde nesër. Por kjo nuk të thotë jo, pasi nuk ka kohë, nuk ka pushim dreke dhe është e aksesueshme në të gjithë kohën”, tha kryeministri.
Në dorë të inteligjencës artificiale do të lihen edhe projektet e shtëpive. Edi Rama tha se në tetor do të prezantohet një platformë që do të ndihmojë qytetarët të ndërtojnë më lehtë shtëpitë, pa ndihmën e arkitektëve.
“Nuk e di se sa familjarë jeni, por rreth 70% e ndërtesave në botë ndërtohen nga jo arkitektë. Jo vetëm ne që kemi përqafuar këtë risi. Sigurisht që kanë arkitektë në shumicën e botës. Ne e dimë sesa e vështirë është për shumicën të marrin në punë një arkitekt për të ndërtuar shtëpinë e tyre. Kjo është pse shumica e shtëpive janë ndërtuar në këtë formë. Për shumë arsye, madje mund të paraqesin edhe rrezikshmëri, sic e pamë kur na ndodhi tërmeti. Një shqiptar që ishte me ne në një ditë të bukur, kur u takuam me përfaqësues të sektorit të start upeve ka shpikur platformën e tij e AI me vektorë dhe algoritme, që do të kemi privilegjin ta lancoj këtu në Tiranë. Ai është në Vjenë me ekipin e tij, do të jetë në treg kjo platformë për të ndërtuar për të gjithë. E kam parë, është magjike. Dhe doni të ndërtoni shtëpi, jepni indikacionet. Nëse mund të bëni një skicë të vogël amatore është ok, por mund të shkruani se dua të ndërtoj shtëpi, që të lidhet me traditën e shtëpive të veriut psh. Kjo platformë ju ndërton shtëpinë. Nuk është e thjeshtë kjo. Pasi iu bën shtëpinë, ju mund të thoni se mund të bëj disa ndryshime. Madje ju bën edhe skicën inxhinierike”, tha Rama.
I bindur se ministrat e Inteligjencës Artificiale së shpejti do të jenë të zakonshëm, Rama shtoi se pranverën e ardhshme Diella do të jetë prezente edhe fizikisht, që njerëzit të kenë kontakt më të afërt me të./vizionplus.tv





