Subscribe

Kryeministri Edi Rama ka shpalosur nga Vlora planin për pastrimin e Shqipërisë nga mbeturinat.

 

Gjatë fjalës së tij, ndërsa theksoi se pastërtia do të jetë prioriteti i prioriteteve të mandatit të tretë qeverisës, ai paralajmëroi sanksione për kryetarët e bashkive që nuk i dërgojnë mbeturinat në inceneratorë dhe landfille.

 

“Ky nuk është një aksion, por është një plan sistematik, ku si fillim do të pastrohen të gjitha pikat e nxehta, dhe pastaj do të garantojmë që të mos rikrijohen. Nuk është hera e parë që bëjmë aktivitete të tilla. Kemi dalë për të pastruar, por kjo duhet të jetë hera e fundit që pasi ne pastrojmë, në pak javë gjendja rikthehet atje ku ishte. Ne e kemi bërë shumë të qartë dhe jemi në rrugën e zbatimit të asaj që unë e kam thënë në programin e qeverisë së re. Asnjë bashki nuk do të lejohet të bëjë asgjë tjetër, nëse nuk garanton të gjitha burimet financiare për pastrimin. Për herë të parë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ka kostuar sa i kushton çdo bashkie për pastrimin. Askush nuk do të lejohet të krijojë pika të tjera grumbullimi. Për kryetarët e bashkive, për këtë ligji parashikon sanksione. Ndotja e madhe që i bëjnë bizneset, hotelet, restorantet, të cilat i hedhin mbetjet duke krijuar pika të paligjshme. Nuk do të lejohet më asnjë biznes në bregdet, që nuk do t’i nxjerrë plehrat e veta të paketuara në pikën e caktuar. Dhe bashkitë në fund të ditës duhet të garantojnë mbledhjen e të gjitha mbetjeve, nuk do lejohen thasë të zinj në kazanë, sepse janë për konsum individual, kazanët me 4 thasë të zinj nga bizneset dhe mbushen. Dhe e fundit, është e patolerueshme që policia e shtetit të qëndrojë jashtë kësaj nevoje jetike të vendit dhe kombit tonë. Policia e Shtetit me ligj është autoriteti që mbron territorin e Shqipërisë. Është e pajustifikueshme që në sytë e policisë së shtetit mbushet një sipërfaqe pylli me 3 mijë metra katrorë në sytë e policisë së shtetit, dhe askush nuk e shikon. Këto janë akte kriminale ndaj mjedisit. Uroj shumë që në këtë proces të bashkohen sa më shumë njerëz, por uroj që të gjithë ata që nuk bashkohen, dhe janë në të drejtën e tyre, të mos ndosin vetë. Ta mendojnë dy herë, kur lëshojnë për tokë, hedhin nga dritarja e makinës, lënë pas, në një piknik mbetjet e tyre, duke u dhënë shembullin më skandaloz dhe kriminal dhe fëmijëve të tyre.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *