Subscribe

Plani i Pastrimit Kombëtar vijon në të gjitha qytetet bregdetare të vendit, për t’i dhënë dorën e fundit pastrimit të bregdetit, përpara datës 1 qershor edhe me ndihmën e forcave të ushtrisë, e për t’ju përgjigjur në këtë mënyrë numrit më të lartë të turistëve që pritet të vizitojnë Shqipërinë, me plazhe më të pastra.

 

Kryeministri Edi Rama ishte sot në zonën bregdetare të Lalzit, në Durrës së bashku me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi për të parë nga afër aksionin e pastrimit, i cili po i afrohet fundit, duke mundësuar mjedisin e dëshirueshëm për t’u vizituar e pushuar.

 

 

“Jemi në zonën e Lalzit ku është një ndër pikat e identifikuara në bashkëpunim me të gjitha bashkitë e bregdetit. Gjatë gjithë kësaj jave puna e koordinuar me Forcat e Armatosura me qëllim që të japin dorën e fundit asaj që e kemi quajtur që në nëntor Plani Kombëtar i Pastrimit në përgatitje të sezonit veror. I kemi përqendruar forcat gjatë gjithë kësaj jave këtu sepse pas 1 Qershorit parashikohet të kemi një rritje të fluksit të turistëve në bregdet dhe megjithëse është bërë një punë shumë e madhe në këto 6 muaj, praktikisht çdo ditë të vitit nuk është ndërprerë puna në gjithë territorin e Shqipërisë, duket që ende nuk mjafton.” – shpjegoi Ministrja Kumbaro, e cila shtoi ndër të tjera se mbetet një punë e madhe për të bërë edhe në drejtim të sjelljes së qytetarëve me mjedisin.

 

“Kemi një punë shumë të madhe për të bërë jo vetëm për pastrimin e territorit, por dhe për ndryshimin e sjelljes së qytetarëve sepse janë përgjithësisht zona që shfrytëzohen dhe për piknik dhe që ne i pastrojmë, ato rikthehen prapë në pika të nxehta. Megjithatë nëse shikojmë shifrat, kemi mbledhur që nga 1 nëntori vetëm nga Plani i pastrimit kombëtar rreth 100 mijë ton mbetje në territor të shpërndara gjithandej. Vetëm për qarkun e Durrësit kemi rreth 10 mijë. Praktikisht, sot që flasim të gjithë plazhet që janë dhe të organizuara në stacione plazhesh jashtë të pastra, puna ka filluar që në mars, janë ende pika që janë më pak të urbanizuara, më pak të organizuara dhe që nganjëherë konsiderohen nga qytetarët nga vend depozitime ilegale gjë që ne po vazhdojmë t’i pastrojmë.”

 

Ndrëkohë që në të gjithë bregdetin janë vendur edhe forcat e ushtrisë për të ndihmuar me pastrimin e mbetjeve të ngurta. “Ne jemi në mbështetje gjithmonë, të aksioneve të pastrimit, tani po e bëjmë, le të themi, komponent shumë të fortë të dimensionit të bashkëpunimit civil-ushtarak të forcave të armatosura. Për momentin kemi 750 trupa nga jugu në veri, përgjatë gjithë bregdetit edhe në bregliqene siç është liqeni i Pogradecit, edhe 90 mjete. Pra kemi forca të shumta, për të kryer në kohë rekord, edhe në kohë shumë të shkurtër që kemi, edhe para se të fillojë sezoni intensiv, një dorë të fundit të pastrimit qoftë të inerteve qoftë të mbetjeve të ngurta në të gjithë territorin’’- detajoi Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.

 

Kryeministri Rama tha se sezoni turistik që është në prag do të jetë sezoni më i pastër për shkak të punës së jashtëzakonshme që po bëhet në këtë drejtim.

 

 

“Unë besoj që padiskutim do jetë sezoni më i pastër edhe për shkak të punës së jashtëzakonshme që është bërë ditë për ditë dhe për shkak të instrumentit të ri finaciar që kemi vendosur për t’i ardhur në ndihmë bashkive bregdetare, të cilat faktikisht përjetojnë në sezon shumëfishimin e popullsisë dhe një ngarkesë ekstra, të jashtëzakonshme që nuk përballohet dot me aq sa ato grumbullojnë nga tarifat normale të pastrimit, por është thelbësore që të gjithë të marrin pjesë në këtë përpjekje. Nëse nga njëra anë ne dhe bashkitë në këtë përpjekje jemi për të pastruar, të tjerët duhet të jenë për të mos ndotur. Është shumë e rëndësishme dhe ky është elementi i parë i Abetares së patriotizmit: Të mos ndotim shtëpinë tonë të përbashkët! Besoj që, edhe mjedisi i pastër që do të gjejnë ata që do të vijnë do të ketë ndikimin e vetë, por duhet të vazhdojmë t’i rrimë mbi kokë kësaj pune, ditë për ditë, natë për natë, deri kur të përmbyllet sezoni, i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë sezoni me fluksin më të madh të turistëve dhe do të jetë edhe sezoni me nivelin më të lartë të konsumit. Që do të thotë nga ana tjetër, përveçse ekonomi dhe përveçse të ardhura të rritura për vendin dhe për familjet e përfshira në këtë ekonomi, edhe më shumë mbetje. Në këtë drejtim është obligimi i përbashkët që të bëjmë maksimumin. Me hyrjen e forcave të ushtrisë në këtë fazë të fundit sipas planit për t’i dhënë një dorë të fundit gjithçkaje që ka mbetur dhe për të pastruar dhe gjithë mbetjet e shembjeve të gjithë abuzivizmave mbi rërë, praktikisht përbyllet një fazë, por do vazhdojmë me fazën tjetër që nuk do të ndalet dhe mbas sezonit, që të jetë e qartë për të gjithë, sepse ky është një mandat shumë i fokusuar edhe te pastërtia e mjedisit përveç se në gjëra të tjera.” – u shpreh Kryeministri Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *