Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në zbatim Planin e masave kundër valës së të nxehtit, në koordinim me Institutin e Shëndetit Publik, Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Qendrën Kombëtare të Urgjencave Mjekësore dhe Njësinë Mjekësore të Ushtrisë.

 

Gjatë inspektimit në një prej pikave të hapura enkas në sheshin Skënderbej, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije shtimin e 9 njësive të lëvizshme të asistencës mjekësore në territor me autoambulanca në Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Gjirokastër dhe Shkodër.

 

“Kemi vendosur për të patur një strukturë në qendër të qyteteve, duke filluar nga Elbasani, Berati, Gjirokastra dhe Shkodra, si dhe në Tiranë do të kemi 4 njësi të autobulancave, së bashku me stafet përkatëse, pikërisht këtu në Sheshin “Skënderbej”, në zonën e Bulevardit të Ri, në zonën e “21 Dhjetorit”, dhe gjithashtu në Parkun e Liqenit. Njësitë e automabulancave do të qëndrojnë këtë javë, duke vlerësuar edhe në dinamike se si do jenë temperaturat edhe në javën e ardhshme, do të qëndrojnë në këto sheshe që kemi përcaktuar, nga ora 11 e paradites, deri në orën 6 të pasdites, për të garantuar kujdesin maksimal për qytetarët, pushuesit, por edhe turistët që vijnë e frekuentojnë qytetet tona”, bëri me dije Manastirliu.

 

Teksa u ka bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar nga vala e të nxehtit, Ministrja Manastirliu foli për planin e masave dhe gatishmërinë e strukturave shëndetësore gjatë sezonit turistik.

 

“Kjo është pjesë e planti tonë të masave për sezonin turistik, ndërkohë që ne kemi hapur 30 qendrat shëndetësore verore, pranë plazheve, bregdetit e gjithashtu edhe në zonat tona malore. Kemi 18 postacione të autoambulancave përgjatë gjithë vijës bregdetare, që të kemi një shërbim sa me të shpejtë, për qytetarë që kanë probleme të urgjencës apo emergjencës. Gjithashtu po shtojmë edhe 9 njësi, postacione të autoambulancave, të cilat duhet të koordinojnë së bashku me Njësinë Mjekësore të Ushtrisë, që të sigurojmë një shërbim sa më të shpejtë mjekësor”,- nënvizoi Manastirliu.

Zv/Shefe e Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major Manushaqe Shehu, tha se ekipet do të jenë në gatishmëri 24 orë në terren për gjithë qytetarët që kanë nevojë.

 

“Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë 24 orë për ti ardhur në ndihmë gjithë popullsisë civile që ka nevojë. Ne jemi duke bashkëpunuar që ekipet tona mjekësore të ndodhen pranë qytetarëve në nevojë”.

 

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Eugena Tomini, i’u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin orët e nxehta të pikut të vapës.

 

“Rekomandimet janë për secilën grupmoshë, duke filluar nga nënat shtatëzëna, duke vazhduar tek nënat me fëmijë të vegjël dhe që ushqejnë me gji, ne grupmoshën e tretë, në presonat që vuajnë nga sëmundje kronike duhet të evitojnë totalisht pikun e ditës për të elemiuar sa me shumë pasojat e goditjes nga dielli. Rekomandohet të qëndrojnë në ambiente të fresketa, të vijojë trajtimi për pacietët me sëmundje kronike me medikamente, të konsumojnë sa me shumë ujë. Kujdes nga përdorimi sheqernave dhe akoolit”,- tha Tomini.

 

Plani i masave për përballimin e valës së të nxehtit përmban: Vendosjen në gatishmëri të nëntë autoambulancave në zonat me fluks të lartë në qendrat e qyteteve për ardhjen në ndihmë të rasteve urgjente. Gjithashtu në shërbimin parësor, janë në funksion urgjencat pediatrike 24/7 në katër qendra në Tiranë. Ndërsa janë hapur 30 qendra shëndetësore verore në zonat bregdetare dhe malore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *