Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Village”, duke bërë të mundur kapjen e një prej personave të shpallur në kërkim për plagosjen e rëndë të tre shtetasve, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 26 korrikut në Durrës.
Në kuadër të operacionit, të organizuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak dhe Njësinë Operacionale të DVP Durrës, u kap në fshatin Pjezë, Shijak, shtetasi L. C., 19 vjeç, banues në Shijak.
19-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se, mbrëmjen e 26 korrikut 2026, në lagjen nr. 13, Durrës, në bashkëpunim me shtetasin M. H., i cili vijon të jetë në kërkim, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me mjete prerëse tre shtetas.
Ngjarja kishte ndodhur në zonën e pedonales pranë plazhit në Durrës, ku tre të rinj mbetën të plagosur. Dy prej tyre përfunduan në spital me dëmtime të shumta, ndërsa i treti mori dëmtime më të lehta.
Për të dyshuarit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, më 4 gusht 2026, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e shtetasit M. H., ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.





