Një 30-vjeçar shqiptar në Greqi u plagos me armë të martën nga policia greke, gjatë një aksioni të zhvilluar në rezidencën studentore, pasi dyshohej se aty zhvillonte aktivitetet e paligjshme.

 

Shtypi grek ka publikuar foton e shqiptarit që sulmoi me kaçavidë një police greke dhe më pas u qëllua me armë nga autoritetet duke mbetur i plagosur.

 

Ai njihet me emrin Esko dhe raportohet se është kreu i bandës kriminale. Në tre katet e fundit të konviktit të vjetër të kampusit jetonte Esko së bashku me vëllain e tij, partnere, fëmijën e mitur si dhe anëtarë të tjerë të grupit kriminal. Në këto dhoma strehoheshin kundrejt tarifës prej 100 Euro në muaj, ku kishin të përfshira energjinë elektrike, internetin dhe ujin.

 

“Ata qarkullonin me Mercedes dhe bënin jetë luksi me paratë e krimit, pazaret e drogës, vjedhjet e madje dhe rrëmbimet”, shkruan Protothema.

 

30-vjeçari shqiptar i quajtur Esko akuzohet gjithashtu se në Maj të vitit 2019 rrëmbeu djalin e mitur të një gazetari grek dhe e mbajti të fshehur pikërisht në rezidencat studentore. Më pas ai dhe bashkëpunëtorët e tjerë hynë në banesën e gazetarit grek dhe e grabitën. Në vendngjarje policia gjeti shenjat e gishtave të 30-vjeçarit Esko dhe u shpall në kërkim. Por asnjëherë nuk është arrestuar, pasi autoritetet greke besonin se ishte arratisur drejt Shqipërisë, kur në fakt Esko qëndronte i fshehur në rezidencën studentore në Athinë.

 

Në këtë konvikt nuk jetonte vetëm Esko. Ai aty qëndronte së bashku me partneren e tij dhe fëmijën e tyre të porsalindur, me vëllain e tij që gjithashtu u arrestua, si dhe të paktën 10 persona të tjerë, të gjithë këta të ndarë në disa dhoma.

 

Pjesë e këtij grupi kriminal ishte edhe një vajzë e re, e cila sapo ishte futur në radhët e policisë greke dhe shërbente si informatore për këtë grup. Kjo police e re ishte rekrutuar nga Esko dhe anëtarët e tjerë të grupit dhe ndihmonte ata me informacione, duke dekonspiruar kolegët e tyre.

 

Policia greke nisi aksionin për të goditur këtë grup pas videove në rrjetet sociale, e konkretisht në TikTok, ku ata reklamonin armët dhe drogën që trafikonin. Madje ata kishin postuar edhe video nga brenda dhomës së konviktit ku jetonin, në të cilën shfaqeshin të maskuar e të armatosur.

 

“Protothema” shkruan se Esko u përfshi në rrjetin e trafikut të drogës, grabitjeve dhe rrëmbimit nga xhaxhai i tij, i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi për një vrasje dhe arratisje nga burgu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *