Pogradeci është kthyer edhe këtë vit në një pikë takimi për artistë nga vende të ndryshme të botës. Në qytetin e liqenit është çelur Kolonia Ndërkombëtare e Piktorëve, një aktivitet me një traditë të nisur që në vitet 2000.
Rreth 20 artistë nga më shumë se 10 vende të botës janë bërë pjesë e kolonisë, duke sjellë në Pogradec stile, kultura dhe mënyra të ndryshme të të shprehurit përmes artit.
Piktorë nga Ballkani, Ukraina, Rusia, Meksika, Spanja dhe Franca kanë zgjedhur qytetin e liqenit për të realizuar veprat e tyre, duke e kthyer natyrën dhe peizazhin e Pogradecit në një burim frymëzimi.
Përtej shkëmbimit profesional, kolonia synon të krijojë ura komunikimi dhe marrëdhënie njerëzore mes artistëve. Një shembull i kësaj fryme është edhe pjesëmarrja e artistëve nga Kosova dhe Serbia.
Natyra, liqeni, qyteti, njerëzit dhe mikpritja shqiptare janë kthyer në elementë frymëzues për veprat e artistëve, shumë prej të cilëve e vizitojnë Shqipërinë për herë të parë.
“Këtu mund të shihni dy nga pikturat e mia. Ato janë frymëzuar nga kjo rezidencë dhe nga këto vende kaq të bukura. Janë gjëra që i kam parë që në momentin kur mbërrita dhe jam vërtet shumë e impresionuar”, thotë Ekaterina Romanova, artiste ruse.
“Është hera ime e parë në Shqipëri. Kam ardhur nga Polonia, por kam lindur në Ukrainë, ndaj në njëfarë mënyre përfaqësoj të dyja këto vende. Gjithçka këtu e tejkaloi pritshmërinë time. Takova artistë të jashtëzakonshëm dhe më pëlqeu vërtet shumë Shqipëria”, thotë Ana Kostenko, artiste polake.
“Shqipëria është një vend magjik dhe shumë i pasur me natyrë, me njerëz shumë të dashur, mikpritës dhe të talentuar. Piktura ime është surrealiste dhe flet për udhëtimin që kam përjetuar këtu. Simbolet që kam parë gjatë rrugëtimit që bëmë, i përfshiva në veprën time artistike”, thotë Alejandro Cortes, artist nga Meksika.
Kolonia e Piktorëve e sjell kështu Pogradecin edhe një herë në vëmendjen e komunitetit artistik ndërkombëtar, duke e kthyer qytetin e liqenit në një hapësirë ku takohen kultura dhe këndvështrime të ndryshme.





