Pezullohen operacionet ajrore mbi Siri

Kërcënimi i Rusisë për të konsideruar si objektiva të mundshëm avionët e koalicionit antiterrorizëm të drejtuar nga SHBA, ka sjellë shqetësim mes aleatëve amerikanë. Australia, një prej vendeve të përfshira në këtë koalicion ka vendosur të pezullojë përkohësisht operacionet ajrore mbi Siri, pa dhënë detaje për vendimin. Ky vend ka një personel ushtarak prej 780 personash të vendosur në Irak dhe Siri. Sipas departamentit të Mbrojtjes, po monitorohet me kujdes situata në Siri dhe më pas do të merret vendimi se kur do të rinisin operacionet. Megjithatë, ndryshime nuk do të ketë përsa i përket angazhimit në Irak.
SHBA dhe Rusia u përplasën më parë për rrëzimin e avionit sirian SU-22, që sipas Rusisë dhe Sirisë kishte si objektiv bombardimin e luftëtarëve të ISIS pranë Rakës. Por Pentagoni theksoi se në shënjestër ishin forcat demokratike siriane, të angazhuara në luftimet kundër Shtetit Islamik.
Pas rrëzimit të avionit sirian nga një avion amerikan, Moska njoftoi ndalimin e komunikimeve që synojnë parandalimin e incidenteve ajrore.



