Subscribe

Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi vendimin për pezullimin e masave drastike ndaj biznesit, të cilat dhjetëfishuan gjobat ndaj sipërmarrësve që bëjnë shkelje të procedurave tatimore. Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut kërkoi shfuqizimin e neneve, të cilat qeveria amendoi përpara dy muajve, me argumentin se shkelet parimi i propocionalitetit, pra gjobat nuk janë në masën dhe llojin e shkeljes së gjithsecilit. Argumenti i dytë ishte dëmi ekonomik që i shkaktohet vendit, nga mbyllja e shumë bizneseve.
Trupa kushtetuese ka kërkuar të dijë nëse qeveria ka bërë një studim lidhur me efektet që do të japë ky ligj, por deri në fund të seancës, përfaqësuesit e ministrisë së financave nuk dhanë asnjë vlerësim paraprak me përjashtim të faktit që janë rritur raportimet përmes kasave fiskale. Gjykatësit kanë kërkuar të dinë po ashtu, se cilat janë arsyet që penalitetet në gjoba janë parashikuar të jenë më të ashpra në shkeljet administrative që dënon ligji i procedurave tatimore, se në vetë shkeljet penale. Në fund të seancës, kreu i shoqatës për mbrojtjen e tregtarëve Nikollaq Neranxi tha se në datën 28 janar do të çojë në kushtetuese edhe ndryshimet në Kodin Penal. Deri tani bizneset raportojnë se janë mbyllur 2000 ndërmarrje, si shkak i masave të ashpra të marra ndaj tyre. Bizneset në tërësi kërkuan shfuqizimin e 11 neneve, të cilat fundosin aktivitetin e tregtarëve. Për ta nuk ka kuptim që të vihet një gjobë prej 500 mijë lekësh, kur kufiri i xhiros vjetore për biznesin e vogël nuk është më shumë se 800 mijë lekë. Po ashtu atyre i duket i tepruar penaliteti prej 10 milion lekësh për biznesin e madh, pavarësisht shkeljes që ai bën, dhe akoma më absurde për ta mbetet gjoba 500 mije lekë për biznesin që nuk ka kasë fiskale, edhe pse për kufirin e xhiros deri në 300 mijë lekë apo për transaksionet bankare nuk nevojitet fare përdorimi i kasës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *