Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, deklaroi se Millun Millenkoviq- Llune nuk është kriminel dhe se Policia e Kosovës nuk ka prova për akuzat ndaj tij.

 

“Ai është një luftëtar i shquar për interesat kombëtare serbe dhe për të drejtat e serbëve në veri të Kosovës”, tha ai gjatë një konference për media në Beograd.

 

Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka arrestuar Millun Millenkoviq- Llune, që ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë”.

 

Sipas Sveçlës, ai dyshohet se ka organizuar sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri.

 

Petkoviç tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vend se të ulë tensionet, po dërgon forca të reja policore në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

 

Petkoviq i bëri thirrje KFOR-it që të reagojë urgjentisht dhe të largojë njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

 

Ai po ashtu tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë ditës ka biseduar disa herë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë.

Petkoviq po ashtu tha se komandantit i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristucc

ia, do të qëndrojë në Beograd të mërkurën, më 14 qershor, dhe do të zhvillojë bisedime me Vuçiçin dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviq.

 

Pas këtij aksioni policor në veri të Kosovës më 13 qershor, ku janë lënduar tre zyrtarë policorë, serbët lokalë janë mbledhur në Lagjen e Boshnjakëve. Atje, përveç Policisë së Kosovës janë parë edhe ushtarët amerikanë të KFOR-it.

 

Një pjesë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë tërhequr, por një zyrtar policor tha se ky institucion po e “riorganizon” praninë në veri.

 

Operacioni në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, vjen në të njëjtën ditë kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i ka paraqitur bashkësisë ndërkombëtare një plan prej pesë pikash, që sipas tij do të ndihmojë në uljen e tensioneve.

Dy javët e fundit raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë tensionuar sërish pasi në katër komunat veriore janë duke u zhvilluar protesta nga grupe të serbëve lokalë të cilët po kundërshtojnë futjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

 

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan grupe të maskuara të serbëve lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *