Përurohet shkolla “Emin Duraku”, Veliaj: Ambiente moderne për 1300 nxënës
“Emin Duraku” është një tjetër shkollë e rindërtuar në kryeqytet, e cila do të mirëpresë 1300 nxënës. Kjo shkollë sjell standardet më të mira të infrastrukturës arsimore dhe sigurisë, si edhe hapësira të mjaftueshme që mund të përdoren nga fëmijët jashtë orarit mësimor ka deklaruar kryetari i bashkisë Erion Veliaj.
“Sot hapim një faqe të re për çunat dhe gocat e mrekullueshëm të zonës së ish Bllokut sepse kjo është një shkollë m’u në zemër të Njësisë 5. Shkolla mbaron për një javë, por ne do t’i shfrytëzojmë pushimet për të bërë edhe një ndërhyrje në pjesën e jashtme, që të sigurohemi që fëmijët nuk dalin menjëherë në rrugë, duke future edhe në këtë shkollë konceptin e një brezi sigurie për fëmijët, siç kemi bërë te shkolla “Gustav Majer”. Tërmeti e dëmtoi rëndë, prandaj morëm vendimin për ta ndërtuar komplet të re. Tani kemi vetëm një kërkesë për nxënësit: presim nota të mira, fitore në olimpiada dhe kupa në kampionate”, tha Veliaj.
Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, pritet të vërë në zbatim një paketë tjetër prej 10 shkollash të reja, kryesisht në periferi të kryeqytetit.
“Kjo është shkolla jonë e 42-të në total, por e 7-ta që bëjmë.. “Xhezmi Dielli” ka mbaruar, “Myslym Keta” ka mbaruar, “Musine Kokalari” ka mbaruar dhe nga 42 do të shkojmë në 45 shkolla të reja në Tiranë. Pastaj, fillojmë me një paketë prej 10 shkollash të tjera, kryesisht në zonat e Astirit, Liqenit të Thatë, Saukut dhe Shkozës; pra, periferitë e Tiranës, që më në fund zgjidhin përfundimisht çështjen e arsimit. Që nga koha e Pavarësisë nuk janë ndërtuar kaq shumë shkolla në Tiranë”, u shpreh kryebashkiaku.
Shkolla e re “Emin Duraku” gëzon mjedise tërësisht bashkëkohore, ku përfshihen laboratorë, bibliotekë, sallë multifunksionale, palestër të brendshme dhe fushë të jashtme sportive, etj. /vizionplus.tv




