Fundi i fundjavës së Ditës së Punës shënon praktikisht fillimin e një gare të ashpër në Ajova, pasi kandidatët shtyhen për t’u nominuar për president të Shteteve të Bashkuara nga partia e tyre përkatëse. Por, meqë vëmendja po rritet për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve presidenciale 2024, furia e zakonshme duket e pashmangshme.

 

 

Në mesin e republikanëve, Donald Trump po mbizotëron në garën primare, duke i lënë mbrapa rivalët me rezyme si guvernatorë, diplomatë dhe sipërmarrës, të cilët në kushte normale do të ishin konkurrentë të fortë. Fuqia e ish-presidentit vjen mbase – apo ndoshta për shkak – të aktakuzave të shumta penale të cilat kërcënojnë ta lënë nën hije çfarëdo debati serioz për të ardhmen e vendit.

 

 

Dhe tani për tani, miliona dollarët që rivalët republikanë janë duke i derdhur në garë, po bëjnë shumë pak për ta dëmtuar Trumpin, duke nxitur shqetësime në mesin e kritikëve të tij në Partinë Republikane, të cilët druhen se gara primare ka përfunduar para se të fillojë.

“Presidenti përfiton nga të qenët lider i parisë në tetë vjetët e fundit”, tha Brian Jack, drejtori politik i Trumpit.

 

 

Trumpi po i prin garës për përkrahje publike, duke e fituar mbështetjen publike të më shumë anëtarëve të Kongresit dhe zyrtarëve të zgjedhur në mbarë shtetin, se të gjithë të tjerët së bashku.

 

 

Kandidatët e tjerë po kanë vështirësi ta mbajnë ritmin me fushatën e qetë të Trumpit për kontrollimin e rregullave për përzgjedhjen e delegatëve për zgjedhjet primare shtetërore për individët. Për shembull, zyrtarët e Trumpit me sukses i shtynë republikanët e Kalifornisë t’ia japin të gjithë 169 delegatët shtetërorë fituesit të zgjedhjeve primare të 5 marsit, në vend se t’ia ndanin delegatët kandidatëve të shumtë bazuar në proporcionin e votës së tyre.

 

 

Duke e parë përparësinë jashtëzakonisht të madhe të Trumpit, disa aleatë të fuqishëm të Trumpit kanë nisur t’u bëjnë thirrje kandidatëve të tjerë republikanë për president të heqin dorë. Kryetari i Majamit, Francis Suarez, i dha fund përpjekjes jetëshkurtër për Shtëpinë e Bardhë në fund të javës së kaluar, pasi dështoi të kualifikohej për debatin hapës. Por, të paktën edhe tetë kundërshtarë të profilit të lartë mbesin ende në garë.

 

“Ka muaj që është e qartë se presidenti Trump do të jetë i nominuari i republikanëve”, tha republikania Elise Stefanik. “Këto zgjedhje janë më të rëndësishmet në jetën tonë, dhe unë do të vazhdoj t’u bëj thirrje republikanëve që ta përkrahim fushatën e presidentit Trump me tërë mekanizmat e partisë sonë.”

 

 

Derisa Trump mbetet favorit i pastër, ai mban një epërsi më të madhe në tërë vendin se në disa shtete ku votohet më herët. Republikanët me ndikim atje nuk janë të gatshëm ta pranojnë nominimin e Trumpit akoma.

 

 

Guvernatori i Nju Hempshirit, Chris Sununu, vendit i cili e mban garën e dytë primare të republikanëve pas Ajovës, është duke punuar për t’i forcuar rivalët republikanë të Trumpit, duke paralajmëruar se Trumpi ka shumë të meta për t’i fituar zgjedhjet e përgjithshme.

 

 

Edhe ish-guvernatori i Ajovës, Terry Branstad, i cili shërbeu si ambasador i Trumpit në Kinë, ka shprehur dyshime për mundësitë e ish-presidentit për t’i fituar zgjedhjet presidenciale, duke marrë parasysh sfidat ligjore të cilat do të zhvillohen gjatë shumicës së vitit të ardhshëm.

 

 

“Përqendrimi i zgjedhjeve duhet të jetë në Bidenin dhe rekordin e tij. Kjo gjë më shqetëson mua. Kjo i jep përparësi demokratëve”, tha Branstad.

 

 

Madje as vetë Trumpi nuk është i gatshëm të thotë se e ka siguruar tashmë nominimin republikan për president të Shteteve të Bashkuara.

 

“Nuk dua të them se gjithçka ka përfunduar, sepse unë s’e them këtë. Unë nuk besoj derisa të përfundojë, apo jo? Siç do të thoshte Yogi “asgjë nuk ka përfunduar, derisa të përfundojë”, tha Trump./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *