Media ruse e kontrolluar nga shteti ka vënë në lëvizje skemat e dizinformimit që ka përdorur edhe më parë për të diskredituar protestuesit që marshuan me thirrjet për lirimin nga burgu të udhëheqësit opozitar, Alexei Navalni, thonë analistët.

Navalny u ndalua për shkelje të lirimit me kusht pas kthimit nga Gjermania ku qëndroi disa muaj për mjekim pas helmimit me noviçok. Arrestimi i tij u bë shkas për protestat më të mëdha anti-Kremlinit që nga viti 2011. Zyrtarët rusë dhe media shtetërore kanë ngritur pretendimin se fuqitë perëndimore, sidomos SHBA, janë pas protestave.

“Uashingtoni po bëhet një pretekst i rastit për këto akuza, megjithëse në realitet s’ka të bëjë me këto zhvillime,” tha Donald Jensen, drejtor i Institutit Amerikan të Paqes në komente për shërbimin rus të Zërit të Amerikës.

Nikolai Patrushev, kreu i këshillit rus të sigurisë, i ka krahasuar protestat për lirimin e Navalnit me rebelimin e famshëm Maidan në Ukrainë në 2013-2014 për të cilin Kremlini akuzoi Perëndimin.

Ai tha për gazetën e përjavshme shtetërore Argumenty i Fakti se Perëndimit i duhet Navalni “për të destabilizuar situatën në Rusi, për trazira sociaale, greva dhe për një Maidan të ri”.

“Kjo të bën të mendosh për Ukrainën, e cila ka humbur në thelb pavarësinë e saj,” thotë zoti Patrushev.

Revolta Maidan

Edhe analistët e dizinformimit po bëjnë krahasime me revoltën Maidan, jo si shembull të ndërhyrjes së Perëndimit, por si shembull i manipulimit të informacionit nga Kremlini që u përdor për të shpëtuar nga dëbimi aleatin e Presidentit Putin, Viktor Yanukovych.

Ata thonë se të njëjtat meme, fraza dhe teori konspirative që u përhapën gjatë Maidanit po përhapen edhe tani në përpjekje për të diskredituar protestuesit pro-Navalnit.

Në 2013, kur qindra mijëra protestues pro-evropianë pushtuan sheshin Maidan në Ukrainë duke kërkuar dorëheqjen e Presidentit Yanukovych, media e kontrolluar nga Kremlini i pëshkruante protestuesit si radikalë që donin të shkatërronin traditën, vlerat konservatore të familjes dhe fesë.

Ndër memet që u qarkulluan nga kanalet e dizinformimit ishin edhe disa që e krahasonin agjitacionin politik me homoseksualitetin, duke paralajmëruar se ekzistonte rreziku për vendosjen e një homo-diktature në Ukrainë, thonë analistët.

“Propaganda pro-Kremlinit ka një traditë të gjatë të përdorimit të retorikës kundër homoseksualëve për të diskredituar aktivizmin pro-demokracisë,” thotë Zarine Kharazian, analiste me Laboratorin e Kërkimeve Dixhitale, pjesë e grupit kërkimor Këshillit të Atlantikut. Laboratori analizon fushatat e dizinformimit.

Protestuesit në ditët e para të revoltës ishin kryesisht të rinj, që u mblodhën në sheshin Maidan pas vendimit të zotit Yanukovych për të mos nënshkruar marrëveshjet e asociimit me Bashkimin Evropian. Si rezultat i mbështetjes që i jep BE-ja martesave të homoseksualëve, media shtetërore ruse “e filloi interpretimin me argumentin se Bashkimi Evropian është homoseksual, pra edhe lëvizja ukrainase pro Bashkimit Evropian duhet të ishte e tillë,” sipas analistit Timothy Snyder.

Në librin e tij “Rruga drejt Zhdukjes së Lirisë” zoti Snyder nënvizon: “Në nëntor dhe dhjetor 2013, media ruse që raportonte mbi protestat në Ukrainë filloi të fuste me çdo mundësi temën e marrëdhënieve të homoseksualëve”.

‘Pedofilia politike’

Kur shpërthyen protestat anti-Kremlinit para një jave në Moskë, Shën Peterburg dhe mbi 70 qytete të tjera ruse, media shtetërore ruse filloi të shfaqte tendencën e ngjyrimit të agjitacionit politik me nuanca seksuale, duke i akuzuar krerët e protestave për “pedifili politike” në kuadër të pretendimeve zyrtare se pjesa më e madhe e protestuesve ishin në moshë të mitur.

Sociologët thonë se protestuesit ishin nga të gjitha moshat. Por zyrtarët rusë thonë se Navalni dhe përkrahësit e tij kanë shfrytëzuar naivitetin e të rinjve, duke i nxitur të dalin në protesta. “Ky është një operacion serioz,” thotë Valeri Fadeiev, kreu i këshillit për të drejtat e njeriut në stafin e Presidentit Putin.

Prezantuesi televiziv, Dmitri Kiseliov, u ankua gjatë emisionit të tij “Lajmet e Javës”: “Këta janë njerëz të ulët; ata ngatërrojnë fëmijët në politikë, si pedofilë politikë. Kjo është e tmerrshme”. Prezantues të tjerë rusë kanë përdorur të njëjtën frazë për protestuesit.

Fjala “pedofili”, si në rastet kur përdoret me epitetin “politike” apo jo, është manipuluar intensivisht në Rusi, thonë analistët. Ata argumentojnë se prej kohësh ka pasur propagandë që i lidhte homoseksualët me pedofilinë. Sipas analistëve, duke cilësuar protestuesit si pedofilë, në një mënyrë ata i portretizojnë si individë që u kundërvihen vlerave tradicionale. Kremlini prej kohësh është përpjekur të krijojë një kontrast mes Rusisë dhe Perëndimit, të cilin e cilëson si dekadent dhe të degjeneruar dhe Rusisë si vend që i përmbahet traditës.

“Mendoj se po përpiqen t’i portretizojnë protestuesit e opozitës si “perëndimorë,” pra në kundërshtim me vlerat ‘tradicionale’ ruse,” thotë zonja Kharazian. “Duke u përpjekur për të krijuar ekuivalencë mes homoseksualitetit dhe pedofilisë po rikthejnë teoritë e vjetra se homoseksualiteti është “anomali” apo në një lloj forme “perversitet”. Këto portretizime janë shfaqur jo vetëm gjatë protestave në Ukrainë, por edhe në Armeni, Venezuelë, Gjeorgji etj”.

“Vështirë të thuhet nëse kjo taktikë do të japë rezultat në popullatën e gjerë në Rusi, por për ata që janë të prirur të besojnë propagandën anti-perëndimore, kjo retorikë ka shumë ndikim,” thotë ajo.

Presidenti Putin nuk e përmendi me emër kritikun e tij, Navalni gjatë fjalimit në Forumin Ekonomik Global. Por ai paralajmëroi për rrezikun që u kanoset vlerave tradicionale. “Kriza sociale dhe e vlerave ka filluar të sjellë pasoja negative demografike, duke kërcënuar qytetërime të tëra dhe kontinente kulturore”.

Presidenti Putin u ka dalë në mbrojtje ligjeve ruse kundër homoseksualëve dhe i ka krahasuar homoseksualët me pedofilët, duke thënë se Rusia duhet “ta pastrojë” veten nga homoseksualiteti.

Në një intervistë të vitit 2014 me rrjetin ABC TV, në prag të Olimpikeve të Soçit, ai ngriti idenë se homoseksualët kanë më shumë gjasa të abuzojnë fëmijët. Në shtator 2013, zoti Putin u shpreh se Perëndimi e ka tepruar me korrektesën politike, “e cila ka arritur në atë pikë ku nuk mund të bësh një diskutim serioz mbi regjistrimin e partive që kanë në programin e tyre propagandën pedofile”.

Jakub Kalensky, studiues pranë Këshillit të Atlantikut, thotë se interpretimet e medias shtetërore ruse lidhur me homoseksualët “po ndezin më tepër paragjykimet e disa rusëve konservatorë. Qëllimi nuk është që vetëm të ndikojnë tek audienca, por edhe të përdorin paragjykimet e audiencës për të diskredituar protestat,” thotë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *