Ambasadorja e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, gjatë një takimi të këshillit të Sigurimit të OKB-së ku në fokus ishte situata në Iran, deklaroi se mbarë bota po i vëzhgon të gjitha veprimet e autoriteteve iraniane.

 

  “Shtetet e Bashkuara po shikojnë atë që bëni ju. Regjimi iranian po shkel të drejtat e popullit të tij. Mesazhi i popullit është I qartë. Kjo është çështje e të drejtave thelbësore për popullin iranian, mirëpo është edhe çështje për paqe dhe siguri ndërkombëtare.”

 

Takimi i Këshillit të Sigurimit u mbajt pasi protestat kundër qeverisë iraniane kanë hyrë në javën e dytë, edhe pse autoritetet kanë vënë në gatishmëri një numër të madh forcash policore.

 

Ambasadori i Iranit në OKB, Gholamali Khoshroo, u shpreh se SHBA-ja po ndërhyn në çështjet e brendshme të vendit, ndërsa zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, është shprehur se OKB nuk ka asnjë rol në punët e brendshme të Teheranit.

 

Irani u përfshi nga një valë protestash pro dhe antiqeveritare. Qindra mijëra protestues bënin thirrje kundër korrupsionit dhe papunësisë. Të paktën 22 persona mbetën të vdekur si pasojë e protestave të dhunshme, ndërsa mbi 1000  persona janë arrestuar.

 

Teherani ka bllokuar faqet kryesore të mediave sociale, Instagramin dhe Facebook, të cilat përdoreshin nga protestuesit, duke bllokuar kështu përhapjen e videove dhe trazirave në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *