Gjykata më e lartë administrative në Turqi do të vendoste sot për shndërrimin e muzeut të Agjia Sofias në xhami, kërkesë kjo e presidentit turk Rexhep Tajip Erdoan. Vendimi është shtyrë dhe do të bëhet publik brenda 15 ditëve. Por ndryshimi i statusit aktual të muzeut njëherësh ikonë e Stambollit që tërheq miliona turistë çdo vit, ka ndarë në dy pjesë popullin. Grupet nacionaliste kërkojnë ta shndërrojnë në xhami, e të tjerë besojnë se siti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s duhet të mbetet një muze, si një simbol i solidaritetit të krishterë dhe mysliman.

Nga ana tjetër Greqia, si dhe Patriarku Ekumenik, Bartholomeu i parë me qendër në Stamboll, i konsideruar udhëheqësi shpirtëror i të krishterëve ortodoksë në botë, i kanë kërkuar Turqisë që Agjia Sophia të mbetet muze. Bartholomeu paralajmëroi se shndërrimi i saj në një xhami “do të kthejë miliona të krishterë në të gjithë botën kundër Islamit”.

Kërkesa për kthimin ne xhami ka shkaktuar reagime të shumta edhe ne arenën ndërkombëtare. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo gjithashtu i ka kërkuar Turqisë qe objekti të mbetet muze “për t’i shërbyer njerëzimit si një urë shumë e nevojshme për të lidhur traditat dhe kulturave të ndryshme të besimit”.Por Minstria e Jashtme turke është kundërpërgjigjur duke thënë se Agjia Sofia ishte një çështje e brendshme e sovranitetit turk. Ajo e ndërtuar nga Perandori Bizantin Justinian në shekullin e gjashtë pas Krishtit  dhe qenë kisha më e madhe e botës krishtere për gati një mijë vjet.

Në vitin 1453, pas pushtimit të Kostandinopojës nga otomanët e udhëhequr nga Sulltan Mehmeti II objektit iu shtuan 4 minare duke e kthyer në xhami, deri sa themeluesi i Republikës Turke, Mustafa Kemal Ataturk, shfrytëzoi kishën për një akt tjetër me domethënie simbolike duke e kthyer në muze. Me këtë akt, ai i përcolli botës mesazhin se Turqia moderne ishte një vend laik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *