Përplasje me armë në klubin e natës, të plagosurit në gjendje të rëndë
Tre persona mbeten te plagosur gjatë një përplasjeje me armë zjarri mëngjesin e kësaj të marte në qytetin Sarandës. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në një lokal nate në bulevardin qendror, ku në sherrin masiv u përfshinë mbi 10 persona.
Këto janë pamjet, pak çaste pas krimit, ku mbeti i plagosur pronari i lokalit, Fisnik Musaj dhe dy klientët Antonio Shyti dhe Besim Xhafa. Këta të fundit u dërguan me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në kryeqytet, pasi ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Hetimet e para zbuluan se ka rezultuar se Antonio Shyti, Besim Xhafa, Renald Canaj, dhe një tjetër person i identifikuar nga policia, janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta, me Fisnik Musaj dhe ortakun e tij në biznes. Të dy palët kanë përdorur mjete të forta e më pas edhe armët e zjarrit.
Policia shoqëroi në komisariat 8 persona, për zbardhjen e rrethanave të krimit. Në vendin e ngjarjes hetuesit gjetën dhe sekuestruan gëzhoja si dhe dy automjete. Ndërsa në shtëpitë e dy prej protagonistëve të konfliktit, u zbuluan armë dhe drogë. Renald Canaj, i cili tentoi të arratisej, u kap pranë fierit, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim.




