Subscribe

Ministri i Mbrojtjes i Greqisë njëherësh Kryetari i Partisë së Grekëve të Pavarur ka deklaruar se nuk do të votojë kurrë që emri i ri i Maqedonisë të përmbajë fjalën “Maqedoni”.

 

“Qëndrimi ynë është për mospërdorimin e fjalës Maqedoni. Duhet të ketë një takim të Këshillit të Liderëve Politikë nën varësinë e Presidentit të Republikës. Ministri i Jashtëm Kotzias po negocion dhe ne mund të na duhet të mbledhim Këshillin. Në një Republikë Parlamentare, kur është fjala për një vendim të tillë, ekziston mënyra e votimit në Parlament dhe nga ana tjetër  me një proces më institucional, domethënë përmes këshillit të Liderëve Politikë. Sidoqoftë, ne si partia e grekeve të pavarur nuk do të votojmë për një emër me termin “Maqedoni”.”

 

Deklarata e tij vjen në një moment kur Qeveria greke është shprehur se do të zgjidhë çështjen e emrit brenda muajve të parë të vitit 2018. Athina zyrtare ka sqaruar po ashtu se ka vullnetin e mirë dhe aftësinë për të dialoguar me Shkupin, pas takimeve dypalëshe dhe ndërmjetësimit të Methiu Nimiç.

 

Por deri më tani nuk ka një propozim konkret publik të qeverisë Cipras për ketë çështje.

 

Dora Bakojani nga partia opozitare Demokracia e Re është shprehur se qeveria po shkon në negociata me dy qëndrime të ndryshme dhe është e destinuar të dështojë.

 

Ndërsa ish-ministri i Jashtëm Theodoros Pangalos ka propozuar për Maqedoninë emrin “Republika Maqedonase e Shkupit”.

 

Megjithe kundërshtitë e mëdha ne kabinetin grek, klima mes dy vendeve është përmirësuar. Kryeministri Zoran Zaev pritet të kalojë natën e ndërrimit të viteve në Selanik, pas një ftese të bërë nga Kryetari i Bashkisë së Selanikut Janis Butaris, pikërisht në krahinën e quajtur nga grekët si Maqedoni.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *