Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e gjyqtarëve për pagat.
Ditën e sotme Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të pranojë pjesërisht kërkesën e gjyqtarëve.

Raportohet se Kushtetuesja vendosi t’i lërë detyrë Kuvendit që të bëjë ndryshime ligjore.
Kërkesa e bërë nga Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, ndërsa qeveria e ka kundërshtuar.
Kujtojmë që më 3 mars të vitit të kaluar, Unioni i Gjyqtarëve kërkoi shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të miratuara në vitin 2023 nga mazhoranca për pagat e magjistratëve. Sipas ndryshimeve, paga bazë e gjyqtarëve u përcaktua sa 36% e pagës së Presidentit, konkretisht 153 mijë lekë.
Më herët, paga referuese ishte ajo e drejtorit të departamentit në Kryeministri, në nivelin 132,100 lekë, çka me formulën e re solli një rritje prej mbi 20 mijë lekësh.
Megjithatë, gjyqtarët e konsideruan këtë ndryshim si ulje, pasi paralelisht u rritën pagat në administratën publike dhe paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri shkoi në 231 mijë lekë.
Sipas tyre, nëse do të ishte ruajtur referenca e mëparshme, paga e tyre do të ishte rreth 78 mijë lekë më e lartë. Për këtë arsye, ata i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese rikthimin te formula e vjetër ose përcaktimin e pagës në masën 54.3% të pagës së Presidentit, me reflektim të çdo rritjeje të përgjithshme.





