Subscribe

Policia e Shtetit ka përkujtuar këtë të diel 20-vjetorin e rënies në krye të detyrës të Arben Zylyftarit.

Në ceremoni morën pjesë drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, familjarë të dëshmorit si dhe përfaqësues të pushtetit lokal të Beratit.

Veliu në fjalët e tij tha se sytë e qytetarëve janë tek drejtësia e re, pasi ajo e vjetra nuk dënoi krimin siç e meritonte.

“Arben Zylyftari dhe qindra dëshmorë të Policisë sakrifikuan jetën për vlera dhe parime, për drejtësi, rend e siguri për qytetarët, por fatkeqësisht këto 3 dekada, dora e pabesë që u ngrit mbi ty Arben ka më shumë se 3 dekada që përpiqet të sfidojë shtetin, ligjin e drejtësinë dhe drejtësia e vjetër rrallë u ka dhënë dënimin e merituar. Të gjithë sot jemi me sytë nga drejtësia e re”, tha Veliu.

Ndër të tjera, kreu i policisë së shtetit tha se dëshmori Zylyftari është shembulli dhe kurajoja e çdo efektivi për të vendosur dhe zbatuar drejtësinë në vend.

“Nuk ka kurajo më të madhe për punonjësit e Policisë së Shtetit, shembull më të fortë se ai i Arbenit, për ta bërë Shqipërinë vend më të drejtë. Sot Policia e Shtetit përballet me sfida të reja, për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë për fëmijët tanë, për Enin dhe Francin, për një Shqipëri më të sigurt, për atë që ai dha jetën. Sfidat nuk na dobësojnë, por na ndriçojnë rrugën që duhet të ndjekim.  Ndaj sot përulemi me respekt e mirënjohje të thellë, me premtimin se nuk do të reshtim kurrë së vëni para drejtësisë shkelësit e ligjit”.

Dy dekada më parë, ish- drejtori i policisë së Shkodres, Arben Zylyftari u qëllua për vdekje në një aksion për arrestimin e Bahri Tafilit, i cili mbeti gjithashtu i vrarë, ndërsa, Genc Tafili u arrestua.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *