Përkeqësimi i motit, ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla dhe të peshkimit, anulohen tragetet Vlorë-Brindisi-Vlorë

Autoriteti Portual i Vlorës ka njoftuar ditën e sotme se për shkak të kushteve të këqija të motit, do të ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit.
Sipas njoftimit, lundrimi do të ndalohet nga data 23 mars deri më 25 mars.
Po ashtu, është ndaluar lundrimi i anijeve të transportit ndërkombëtar detar për pasagjer dhe automjete në linjën Vlorë – Brindisi – Vlorë, deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike detare e cila do të jetë mbas orës 22:00 të datës 24 mars.
Njoftimi i plotë:
Njoftim për kushtet hidrometeorologjike të përkeqësura gjatë datave 23-25.03.2025 !
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 23-25.03.2025 duke filluar nga ora 08:00 datë 23.03.2025 në drejtimin Jug-Jug-Lindje në forcën deri 8-9bft me shpejtësi ere deri 25-40m/s dhe lartësi dallge nga 2.50 deri 4.50 metra.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmerisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
1.Është ndaluar paisja me leje-nisje i mjeteve te vogla lundruese dhe ato te peshkimit të cilat operojnë në det të hapur duke filluar nga ora 06:00 datë 23.03.2025.
2.Të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës të marin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marjen e masave për sigurimin e tyre.
3.Anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjer dhe automjete në linjën Vlorë – Brindisi – Vlorë, do të anulohet deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike detare e cila do të jetë mbas orës 22:00 të datës 24.03.2025.
4.Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 08:00 të datës 25.03.2025.




