Prokuroria e Krimeve të Rënda siguroi dëshmitë e zyrtarëve të Partisë Demokratike lidhur me përgjimin e Albert Veliut të njohur ndryshe si dëshmitari X. Ervin Salianji, Gazmend Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj u pyetën lidhur mbi atë çka kanë dijeni për dëshminë e Veliut por edhe audiopërgjimin e publikuar nga Partia Demokratike.

 

Teksa futej në prokurori, Ervin Salianji u tregua ironik me vëllain e ministrit të brendshëm, ndërsa në dalje tha se ky qëndrim u mbajt dhe nga Agron Xhafaj.

 

Sipas deputetit të Partisë Demokratike shumë shpejt do të dalin prova të reja që faktojnë përfshirjen e grupit te strukturuar kriminal në trafikun e narkotikëve

 

Për ish-ministrin teknik te drejtësisë Gazment Bardhi në Prokurori nuk duhet të pyeten denoncuesit, por të akuzuarit.

 

Vec tyre në prokurori dëshmoi dhe deputeti i PD Enkelejd Alibeaj. Ai tha se kërkoi nga akuza që të jetë përfaqësuesi ligjor i viktimave të trafikut të narkotikëve të cilët kërkojnë të bëhen dëshmitarë.

 

Pak ditë më parë dosja e audiopërgjimit në Prokurorinë e Tiranës dhe ajo e nisur kryesisht nga prokuroria e krimeve të rënda u bashkuan në një të vetme. Tashmë pritet ekspertiza e audiopërgjimit e cila do të dërgohet jashtë vendit në një laborator të specializuar. Veç kësaj prokuroria ka bërë regjistrime audio të Agron Xhafajt dhe Albert Veliut, ndërsa materialet do ti dërgohen laboratorit.

Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dha dëshminë e tij dhe Albert Veliu i cili konfirmoi se personi që ai flet është vëllai i ministrit të brendshëm. Nga ana tjetër hetuesit pritet të verifikojnë edhe mënyrën se si është bërë përgjimi kjo pasi deklaratat e dëshmitarit dhe gazetarit që ka marrë përsipër intervistimin e tij, janë kontradiktore. Për këtë prokuroria ka kërkuar dhe dëshminë e gazetarit Jetmir Olldashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *