Subscribe

Prokuroria e posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka nisur hetimet në lidhje me përgjimet e antimafias italiane të publikuara dy javë më parë  që ngrenë dyshime mbi aktivitetin e organizatës “Ndrangheta” në Shqipëri.

Në një njoftim për mediat, SPAK sqaron se duke u bazuar tek raportimet e medias, në 25 janar ka regjistruar procedimin penal në lidhje me hetimet e kryera nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros, të cilat flasin për përfshirjen e shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në aktivitete kriminale në vendin tonë.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar garanton publikun se është e vendosur për të hetuar deri në fund çdo element dhe fakt që përbën indicje për veprimtari kriminale të kryer në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që lidhet me objektin e hetimeve të kryera deri tani nga Prokuroria Antimafia e Catanzaros.”

 

Prokuroria, sic ben me dije Vizion Plus, sqaron se po heton për veprat penale të korrupsionit nga ana e personave që ushtrojnë funksione publike, grup i strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Në funksion të këtij hetimi drejtuesi i prokurorisë së posaçme Arben Kraja ka shkuar në Romë ku ka takuar Federico Cafiero de Raho, Drejtuesin  e Prokurorisë  Kombëtare Antimafia në Itali. Në takim morën pjesë edhe prokurorë të tjerë italianë dhe shqiptarë që po hetojnë dy procedimet penale.

Në 22 janar në Shqipëri u publikua dosja e përgjimeve që çoi në arrestimin e 50 personave në Itali të akuzuar për lidhje me mafian kalabreze, Ndrangheta, raporton Vizion Plus.

Në këtë dosje përmendeshin emra të politikanëve e zyrtarëve të ndryshëm duke filluar nga presidenti Ilir Meta, si dhe skema për të investuar në sektorin e ndërtimit të kullave në Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *