Subscribe

Diplomacia shqiptare ka nisur punën për takimin e ministrit shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati me homologun grek Nikos Kotzias.

 

Burime zyrtare nga Ministria e Jashtme, thanë për Vizion Plus, se po shqyrtohen ide të ndryshme mbi temat që do të diskutohen në takimin dypalësh.

 

Por, nënvizohet fakti se ende nuk ka një ide dhe format të finalizuar.

 

Mbi takimin mes dy shefave të diplomacisë, e përditshmja greke “Kathimerini”, shkruan se bisedimet do të zhvillohen në muajin nëntor në ishullin e Kretës.

 

Burime të gazetës, bëjnë me dije se takimi është iniciativë e ministrit grek Nikos Kotzias të për të shqyrtuar në themel çështjet më të nxehta që ndajnë palët.

 

Ky model i pazakontë i bisedimeve intensive është një zgjedhje e kryediplomatit Kotzias.

 

Temat e diskutimit, sipas medias greke, do të jenë të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, një marrëveshje për kufirin detar, çështja çame, zvogëlimi ose heqja e çmimeve konsullore, si dhe problemi i eshtrave të të rënëve gjatë luftës italo-greke.

 

Sipas “Kathimerini” , Athina nuk ka asnjë iluzion për vijën e ashpër nacionaliste të mbajtur nga Kryeministri Edi Rama dhe kujton se më 27 nëntor, Shqipëria dhe Kosova do të mbajnë një takim të përbashkët në Korçë, duke promovuar më tej axhendën e bashkëpunimit midis dy vendeve në baza të përbashkëta etnike.

 

Takim ky i iniciuar nga Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

 

Për të theksuar prezencën greke në Shqipëri, gazeta helene shkruan se për vitin 2017, Greqia mbetet investitori i parë, çështje kjo e cila pritet të përforcojë më tej diskutimin në takimin e nëntorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *