Liderët politik në Maqedoni edhe kësaj here nuk kanë marrëveshje për referendumin për emrin dhe Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

 

Kryeministri Zoran Zaev, duke mos dhënë detaje nga takimi me Mickoskin e VMRO-së, Ahmetin e BDI-së dhe Kasamin e Besës, theksoi prerë se amnisti për qëllime strategjike të vendit, nuk do të ketë.

 

“Për qëllimet strategjike të Maqedonisë, kompromise nuk ka. Amnisti të drejtpërdrejtë ose indirekte nuk ka. Do t’i japim shansin dialogut dhe bisedimeve aq sa është e mundur. Paraprakisht Kuvendi vazhdon punën dhe propozim-ndryshimet në Kodin Zgjedhor vazhdojnë procedurat parlamentare në komisione. Pres që në takimin e liderëve të merremi vesh edhe për formimin e KSHZ-së .”

 

Nga ana tjetër kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski hodhi poshtë pretendimet se opozita kërkon amnisti. Sipas Mickoskit, pyetja e referendumit akoma nuk është diskutuar dhe se pret që formulimi i saj të bëhet në takimet e radhës.

 

Ndërsa kreu i BDI-së Ali Ahmeti vlerëson se argumentet akoma nuk janë shterur dhe se duhet unifikuar të gjitha palët me qëllim lehtësimin e procesit integrues.

“Të gjithë duhet të angazhohen që të kemi një përfundim të suksesshëm, në lidhje me zbatimin dhe realizimin e marrëveshjes lidhur me çështjen e kompromisit që është arritur me palën greke. Mbetet akoma të vazhdojmë pasi që të gjitha opsionet dhe mendimet nuk janë të shterura”.

 

Gjithashtu Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, e cila përfaqësoi opozitën shqiptare në takim, mbetet e përkushtuar dhe konstruktive sa i përket proceseve me qëllim integrimin e vendit në NATO dhe BE.

 

Ndërkohë pritet që takimi i radhës i liderve do të jetë në fundjavë ose javën që vjen.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *