Subscribe

Përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të Vettingut, Theo Jacobs, e ka cilësuar të dyshimtë axhendën e prokurorit Arjan Ndoja. Ai tha se nëse do të ishte kryeprokuror, nuk do të pranonte që ai të ishte pjesë e ekipit të tij, pasi nuk është figurë e besueshme.

 

Një nga arsyet është fakti se Ndoja pretendonte që fitonte 250 mijë euro në vit si avokat. Por, kjo shifër, sipas Jacobs është shumë e lartë për t’u fituar ndershmërisht në një vend me standardet e Shqipërisë.

 

“Nuk kam pyetje për ju. Ndonëse në pozicionin tim, më jepet e drejta te shpreh opinionin, para se te vija këtu po pyesja veten nëse do isha ne krye të një prokurorie a do doja një prokuror të tillë në ekipin tim? Përgjigjja është jo, thelbësisht se nuk jua kam besën. Agjenda juaj është e dyshimtë, kam kontrolluar deklaratat tuaja periodike, e ju keni deklaruar, se keni fituar 250 mije euro si avokat çdo vit. S’di sa avokatë në shtetin tuaj, 2005-2007 kur e vendos përballë me shtetin tim qe ka standarde më të lartë, të fitojnë 250 mijë euro. Ti nuk je një prej tyre. Etika dhe deontologjia, nuk lidhen gjithmonë me sjelljen kriminale, por ka të bëjë me personat që ju shoqëroheni. Por, 60% e kolegëve tuaj janë shkarkuar për këto arsye. Kur shkoj te ‘file’ juaj, vërej dhe besoj se je inteligjent dhe mund te kishe qenë edhe aset, por inteligjenca nuk është mjaftueshëm, duhet te keni vokacionin dhe ndërgjegjen e një prokurori. Prandaj, s’do ta kisha lejuar kurrë pjesëmarrjen tuaj në ekipin tim.”

 

Arjan Ndoja, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Durrës, doli këtë të premte para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për t’iu nënshtruar procesit të Vettingut.

 

Kujtojmë se atij iu bë atentat në vitin 2019 në autostradën Durrës-Tiranë, ku mbeti viktimë shoferi i tij, Andi Maloku, ndërsa vetë prokurori u plagos nga të shtënat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *