Rama i del në mbrojtje Kosovës: Seanca në Këshillin e Sigurimit ishte pa kuptim
Në vlerësimin e kryeministrit Edi Rama debati për denarin serb në Këshillin e Sigurimit ishte i gjithi i pakuptimtë. Në platformën e tij “X” kreu i qeverisë shkruan se arena e Këshillit të Sigurimit në OKB nuk është vendi ky dy shtetet e pavarura, Kosova dhe Serbia, duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet.
“Ishte një seancë pa kuptim. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është e qartë se nuk është vendi për asgjë që lidhet me Kosovën. Si dy vende sovrane që aspirojnë anëtarësimin në BE, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të fokusohen në arritjen e marrëveshjeve për qarkullimin financiar, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera që përfitojnë në jetën e përditshme njerëzit e zakonshëm, duke siguruar edhe një të ardhme paqësore për brezat e ardhshëm”, shkruan Rama.
Edi Rama është deklaruar pro Kosovës në vendimin e saj kushtetues për të shfuqizuar denarin serb nga monedhë zyrtare. Por vendimmarrje të tilla shkruan kreu i qeverisë duhet të këshillohen edhe me aleatët, SHBA dhe BE.
“Qëndrojmë pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, Shqipëria do të vazhdojë t’i theksojë lidershipit kosovar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e saj kryesorë. Qëndrimi i palëkundur dhe i vazhdueshëm së bashku me ta tregon ndjenjën e vizionit dhe përgjegjësisë shtetërore, ndërkohë që çdo rast i qëndrimit të vetëm në rrugën e njohjes së plotë e zbeh pozitën e vendit në sferën publike të marrëdhënieve ndërkombëtare”, shkruan Rama./vizionplus.tv




