Subscribe

Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka pritur në një takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës Nevzad Lutfiu dhe rektorin e universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, Bektash Mema.

Shefi i diplomacisë shqiptare bëri me dije se duke filluar nga viti akademik 2024-2025 , Shqipëria do të ofrojë 30 bursa në vit për studentët nga kjo luginë.

“Konkretisht, duke filluar nga viti akademik 2024 – 2025,30 studentë, vajza dhe djem nga Lugina e Preshevës do të kenë çdo vit mundësinë të kryejnë studimet universitare në Shqipëri, duke përfituar bursa studimi dhe akomodimin falas përgjatë gjithë periudhës së studimit. Jo vetëm kaq, por duke ndjekur modelin që ka propozuar Bashkia e Gjirokastrës dhe Universiteti i Gjirokastër, e cila e ka nisur projektin që në tetor të vitit të kaluar, studentëve mund t’ju ofrohen edhe mundësi punësimi në Shqipëri gjatë muajve të verës”, tha Hasani.

Hasani theksoi se ka projekte të tjera konkrete në mbështetje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Por edhe pse fillon me arsimin, angazhimi i Qeverisë Shqiptare për të mbështetur qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës nuk mbaron këtu. Ky angazhim nuk përfshin vetëm Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme apo vetëm universitetet e bashkitë, sepse këtu bëhet fjalë për një vullnet të qartë e të shprehur të qeverisë shqiptare, të Kryeministrit Edi Rama, për të mbështetur në çdo fushë e përmes sa më shumë nisma konkrete për vëllezërit e motrat tona në Preshevë”, deklaroi Hasani. 

Po ashtu ministri i Jashtëm vuri në dukje se po shihen me prioritet mënyrat sesi mund të ofrohet më shumë ndihmë për Luginën, me specializime në fushën e mjekësisë, si dhe bashkëpunim në fushën e kulturës dhe medias./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *