3 ditë para se shqiptarët t’u drejtohen kutive të votimit, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u bëri apel qytetarëve të Korçës të zgjedhin Aleancën për Shqipërinë Madhështore për të ndryshuar të nesërmen e tyre.
Gjatë takimit të fundit elektoral në këtë qark, Berisha premtoi se 100 ditë pasi PD të vijë në pushtet nuk do të ketë pension më të ulët se 200 euro.
“Na duhen 100 ditë, jo për pushtetin tim personal, por që asnjë pensionist mos marrë më pak se 200 euro”, tha Berisha.
Ndërsa gjatë takimit në Elbasan, Berisha premtoi se Partia Demokratike do t’i japë fund fenomenit të largimit të të rinjve.
Berisha shpjegoi se programi i PD përfshin 30 mijë euro grant për çiftet e reja që të blejnë shtëpi, ndërkohë që premtoi se çdo i ri, brenda një viti pas diplomimit, do të ketë punë në sektorin publik ose privat.
“10 milionë euro në vit për startup-et e të rinjve. 5 mijë euro grant për çdo të ri që nis një biznes dhe kredi të buta më pas për suksesin e tij. Miq, ose do investojmë për rininë tonë është investim jetik, vendimtar për ne, përndryshe na pret fati i shumë kombeve të tjera që janë zhdukur në histori. Por ne nuk zhdukemi kurrë”, u shpreh ai.
Nga Elbasani, Berisha paralajmëroi edhe bandat kriminale.
“Data 11 shënon fundin tuaj dhe mos tentoni të largoheni, se kudo që të shkoni, do t’ju gjejmë, do t’ju kapim, do t’ju çojmë bashkë me Taulantin, me Edi Ramën, atje ku e keni vendin”, tha Berisha.
Sali Berisha u bëri apel demokratëve që në këto 3 ditë të bëjnë çdo përpjekje për fitoren në zgjedhjet parlamentare.
/vizionplus.tv





