E enjte, 12 Nëntor 2026 Fat i Hidhur deri në 16:30 Në vijim ora 16:30: Takohemi N'vizion Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Peniani kërcënon Japoninë: Do ju shkatërrojmë!

Korea e Veriut kërcënoi Japoninë me shkatërrim nuklear në përgjigje të përpjekjeve të Tokios për të bindur komunitetin ndërkombëtar të refuzojë dialogun dhe të ushtrojë në këmbim më shumë trysni mbi Penianin problematik.

 

Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA thotë se lidershipi i vendit iu përgjigj në këtë mënyrë fjalimit të kreut të ekzekutivit japonez Shinzo Abe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ditë më parë, ku ai këmbëngulte për presion e jo negociata, i bindur se kjo është rruga për ta detyruar veriun komunist të heqë dorë nga ambicjet e veta atomike.

 

Reklamë

Regjimi i Kim Jong un e akuzoi Aben se po përdor për qëllime politike teorinë e krizës në gadishullin korean e në mënyrë të veçantë se po lehtëson militarizimin e Japonisë.  Sipas artikullit, Abe e ka bërë të qartë tashmë objektivin e vetë dashakeq me rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

 

Një ditë më parë, Shtëpia e Bardhë i refuzoi sërish bisedimet me Penianin për çështjen e programit të tij bërthamor, duke sqaruar se ulja në tryezë me zyrtarët e atjeshëm do të ndodhë vetëm për të folur mbi fatin e amerikanëve të ndodhur në këtë vend.

 

Shefi i diplomacisë amerikane Rex Tillerson është flamurtar i negociatave e nuk kishte shumë që pat deklaruar se Uashingtoni po komunikon direkt me Penianin për çështjen atomike dhe atë raketore. Por zëdhënësja Sarah Sanders tha prerazi se nuk është koha për bisedime.

 

Vetë Donald Trump, që ka shkëmbyer vazhdimisht fyerje e kërcënime me Kim Jong un javët e fundit, e konsideron këtë një humbje kohe. “Ruaj energjitë, Rex, në fund do të bëjmë atë që duhet bërë!”, shkroi ai në Twitter.

Vazhdo të lexosh

Reklamë