Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me pengmarrjen e tre policëve të Kosovës nga serbët, duke iu përgjigjur njëkohësisht dhe atyre që e “kryqëzuan” për mungesën e një qëndrimi nga ana e tij.

 

Kryeministri Rama shprehet se kushdo që i hedh benzinë zjarrin dhe e politizon këtë situatë nuk do t’ia dijë për Kosovën.

 

“Kush thotë se po heshtim apo kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza ndërkohë që KFOR-i po investigon rastin, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë”, thotë ai.

 

Rama shprehet se është në pritje të fjalës së KFOR, ndërsa thekson sërish se Kosova është shteti i pavarur me ndihmë të bashkësisë euroatlantike dhe ka të njëjtën linjë me të.

 

“Prandaj më duhet edhe njëherë t’u kujtoj se Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe ka fiks të njëjtën linjë të kësaj bashkësie, e cila bombardoi Serbinë dhe krijoi shtetin e Kosovës! Ne presim fjalën e KFOR-it që po heton rastin dhe i qëndrojmë de-eskalimit imediat”, tha ai.

 

Shumë zëra “kryqëzuan” kryeministrin Rama për shkak të mungesës së një reagimi nga ai mbi pengmarrjen e tre policëve të Kosovës nga serbët.

 

Ndërkohë, Kosova e konsideron pengmarrje, teksa Serbia thekson se bëhet fjalë për arrestim, pasi ato ndodheshin në territor serb.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *