Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian ka miratuar me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenim rezolutën për Shqipërinë.
Gjatë mbledhjes raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, vlerësoi progresin e vendit tonë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë e reformave të mëtejshme për të garantuar një anëtarësim të qëndrueshëm dhe të suksesshëm.
“Dua të nënvizoj se Shqipëria konsiderohet si një nga dy vendet kryesuese në procesin e zgjerimit. Këtë jemi përpjekur ta pasqyrojmë edhe në këtë raport, por përtej çështjeve të trajtuara në raportin e Komisionit, kemi dashur të theksojmë edhe disa elemente të tjera, konkretisht që reformat duhet të reflektohen edhe në jetën e përditshme të qytetarëve. Veçanërisht jemi përpjekur të vendosim fokus edhe te situata sociale në Shqipëri.”
Në këtë dokument vihet në dukje ambicia e Shqipërisë për të mbyllur negociatat për të gjithë grup-kapitujt brenda vitit të ardhshëm.
Në raport me zgjedhjet e vitit 2025, Parlamenti Evropian i qëndron vlerësimit të OSBE-ODIHR dhe shprehur shqetësim për “fushën e pabarabartë të lojës në zgjedhje dhe keqpërdorimin e burimeve njerëzore”. Parlamenti Evropian i bën apel mazhorancës dhe opozitës të punojnë së bashku për të miratuar reformën elektorale.
Në raport me çështjen e imunitetit të deputetëve, rezoluta sjell në vëmendje se “imuniteti parlamentar është pjesë e kuadrit kushtetues që ka si qëllim të sigurojë funksionimin e duhur të institucioneve demokratike, duke nënvizuar se çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret në përputhje me kushtetutën dhe procedurat ligjore, pa ndërhyrje politike dhe pa vonesa”.
Nga ana tjetër parlamenti evropian kritikon edhe opozitën, duke theksuar se protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale.





