Deputeti demokrat, Xhelal Mziu i bën thirrje SPAK që të ndëshkojë autorët e masakrës zgjedhore në 25 prill, që, sipas tij, penguan ndryshimin që qytetarët kërkonin.

 

Ky reagim vjen pas vendimit të SPAK për mbylljen e hetimeve për juristin Denis Xholi dhe Albjon Çekun, të cilët akuzohen për blerje votash gjatë zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

 

Mziu theksoi më tej se PD nuk do të ndalet deri në zbardhjet përfundimtare të masakrës zgjedhore.

 

“Partia Demokratike ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve, mijëra informacione, fakte, dokumente që provojnë se si regjimi po zbatonte një projekt kriminal të deformimit të vullnetit të qytetarëve përmes vjedhjes më të madhe në historinë e zgjedhjeve. Kjo masakër kundër vullnetit të lirë u konfirmua edhe nga raporti i OSBE/ODIHR, ndërsa një copëz e vogël e asaj që ka ndodhur në 25 prill, u zbardh edhe nga SPAK, i cili gjeti fajtor Denis Xholin, përgjegjës i zyrës juridike në Bashkinë Bulqizë, dhe Albjon Çejku për korrupsion në zgjedhje dhe përdorim të funksionit publik për veprimtari zgjedhore. Të gjithë i mbajnë mend makinat që shpërndanin paratë, që ky pushtet u kishte vjedhur qytetarëve përgjatë 8 viteve të fundit, për të blerë varfërinë e prodhuar nga keqqeverisja e Ramës. Ndaj, ne inkurajojmë drejtësinë të mos ndalet te ekzekutorët, por të marrë në bangën e të akuzuarve arkitektët e këtij sistemi kriminal, që me vullnet politik, pengoi ndryshimin që qytetarët kërkonin dhe e kërkojnë edhe sot. Partia Demokratike nuk do të ndalet deri në zbardhjen përfundimtare të masakrës zgjdhore, deri në kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *