Deputetët e Partisë Demokratike kanë paditur në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar një prej botuesve në Tiranë. Sekretari i përgjithshëm i PD së drejtuar nga Sali Berisha, Flamur Noka, ka deklaruar se në kundërshtim me ligjin ky botues ka përfituar para publike nëpërmjet Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2.
“Një grup deputetësh të Partisë Demokratike kanë firmosur një kallëzim të dytë penal për shtetasin Karlo Bolino. Një skemë tipike mafioze e financuar me para publike për të blerë mediat e më pas për t’i përdorur si snajper kundër opozitës”, tha Noka.
Sipas Nokës përfitimi i fondeve publike është bërë nëpërmjet organizatave fiktive.
“Pas përfitimit të fondeve të para shihet se pagesat për BUNK’ART i kalojnë një tjetër OJF, “QENDRA URA” dhe kjo ka për drejtues Ergys Gezka. QENDRA URA” ka përfituar 320.000 euro pagesa nga Buxheti i Shtetit, përveç të ardhurave të përfituara nga biletat e shitura”, tha Noka.
Përtej denoncimeve publike dhe dorëzimit të padive në SPAK, Noka ka konfirmuar se po vazhdojnë bisedimet për bashkimin e PD, duke hedhur poshtë idenë se grupi i drejtuar nga Gazment Bardhi.
“Zoti Gjekmarkaj nuk ka thënë për asnjë moment që bashkimi nuk do ndodhë, bashkimi do ndodhë. Unë jam në kontakt të përditshëm me kryetarin e grupit, zotin Bardhi, me zotin Gjekmarkaj, të cilin e kam edhe mik”, tha Noka.
Pavarësisht qëndrimit të Flamur Nokës, nënkryetari i parlamentit Agron Gjekmarkaj deklaroi një ditë më parë se në rast të dështimit të përpjekjeve për bashkim, grupi i deputetëve të drejtuar nga Gazment Bardhi do të shohë një mënyrë për të garantuar ekzistencën e tij të pavarur politike.