Duke marrë shkas nga miratimi i paketës “Anti-KÇk”, Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata nënvizoi se kryeministri Rama duhet të lejojë policët të verifikojnë pasurinë e ish-ministrit Saimir Tahiri.

 

Gjatë një deklarate për mediat, Gjata akuzoi kreu e qeverisë se i del në mbrojtje Tahirit, ndërsa shtoi se paketa “Anti-KÇK” është një veprim propagandistik me qëllim për të mashtruar ndërkombëtarët.

 

“Ish ministri i tij i brendshëm, i cili ka hyrë në histori për kanabizimin e Shqipërisë, është një nga subjektet ideale të ligjit propagandistik të Edi Ramës. Saimir Tahiri akuzohet për trafik droge nga drejtësia, bën një jetë luksoze me rrogë shteti, hap biznese të reja, madje i sfidon të gjithë duke paguar 20 mijë dollarë për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

 

Sipas demokratëve, krimi i oganizuar nuk mund të luftohet nga kryeministri Rama, pasi është mik me kriminelët.

 

“Edi Rama nuk e lejoi policinë të sekuestrojë pasurinë e trafikantit të drogës Edmond Bego, mik i kriminelit të rrezikshëm Aldo Bare dhe mik i numrit 2 të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Njësoj ka për të vepruar edhe me Saimir Tahirin, sepse Saimir Tahiri e mban peng megjithçka di për lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar. Edi Rama ka ndërmend të bëjë vetëm shoë me një grup policësh, të keqpërdorur dhe të tradhëtuar në këto 6 vjet prej paktit të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin e organizuar.”

 

Ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri ka kontraktuar një kompani amerikane. Kompania “Stone Strategic Solution” eshte paraqitur prane Departamentit te Drejtesise për të lobuar në emër te Tahirit. Sipas dokumentacionit të regjistuar, Tahiri ka angazhuar kompaninë amerikane për ta ndihmuar në “komunikimet me anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Departamentin e Shtetit, Departamentin e Drejtësisë, në lidhje me dorëheqjen  nga qeveria Rama dhe çështjet që lidhen me betejën e tij ligjore në Shqipëri”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *