Subscribe

Opozita akuzon ministrin e Brendshëm se ka ndihmuar Klemend Balilin të arratiset nga vendi. Në një deklaratë për mediat, kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD Enkelejd Alibeaj, tha se arratisja e Balilit është prova e fundit për lidhjet kriminale të ministrit Saimir Tahiri.

“Gjatë 48 orëve që Klement Balilaj zuri hapësirën kryesore të mediave ndërkombëtare, Saimir Tahiri u rrek t’u mbushte mendjen qytetarëve se ai ishte i pafajshëm dhe nisi akuzat kundër mediave se po e përflisnin pa të drejtë, madje na e nxori Balilajn edhe në televizion nga zyrat shtetërore të kërcënonte opozitën me procese gjyqësore. Kur nuk ia doli dot t’i siguronte pafajësinë Balilajt, Saimir Tahiri i krijoi kushtet dhe i dha kohë për t’u arratisur vetëm pak para se t’i dërgonte policinë të fshinte provat siç e ka tashmë zakon. Pas kësaj, Tahiri vrapoi t’u thoshte mediave se në sistemin TIMS nuk rezulton që Balilaj të ketë dalë jashtë vendit. Por a nuk tha të njëjtën gjë edhe për Arben Frrokun?”

Përveç rastit Balilaj, Partia Demokratike akuzon ministrin Saimir Tahiri për përgjime të paligjshme, përmes një aparature të veçantë. Deputeti Flamur Noka, tha se ministri i Brendshëm po përdorë këtë pajisje për interesa kriminale dhe politike. Opozita këmbëngul në lidhjet e ministrit Tahiri në rrjetin e narkotrafikut me bekimin e kryeministrit Rama.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *