PD: Rama duhet të japë dorëheqjen, dështoi me negociatat

Partia Dmeokratike ka bërë përgjegjës për mos hapjen e negociatave kryeministrin Edi Rama.
Në një deklaratë për mediat sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Arben Kashahu i kërkoi kreut të qeverisë që të japë dorëheqjen me argumentin se dështoi në procesin e integrimit.
“Për të mirën e vendit, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen. Nëse ai do të vendoste ineteresat e shqiptarëve para interesave të tij, Rama do të ikte, do të na çlironte nga qeverisja e tij e dështuar dhe do të na linte të ecnim drejt Bashkimit Europian. Ndaj të mos ketë asnjë dyshim se ky vendim është një dështim personal për Edi Ramën. Nuk ka të bëjë me Shqipërinë, por ka të bëjë me Edi Ramën. Nuk janë problemet e brendshme të Europës ato që pengojnë vendet europiane të hapin negociatat me Shqipërinë. Është korrupsioni, manipulimi i zgjedhjeve dhe sundimi i dështuar i Edi Ramës që nuk bind Bashkimin Europian.”
Kashahu tha se vetëm duke siguruar zgjedhje të lira e të ndershme dhe barazi para ligjit, Europa do e pranojë Shqipërinë në familjen e saj.
“Edi Rama nuk ka ndërmend të përmbushë as 9 kushtet e Bundestagut gjerman, që për opozitën janë udhërrëfyesi për nxjerrjen e vendit nga kriza. Vetëm duke siguruar zgjedhje të lira e të ndershme, vetëm duke zbatuar standardet më elementarë për barazinë para ligjit, Shqipëria do të bëhet si Europa dhe Europa do të na pranojë në familjen e saj.”




