Partia Demokratike ka hedhur akuza në drejtim të qeverisë në lidhje me projketin e Unazës së Re.

 

Në një deklaratë për mediat, ish-deputeti Klevis Balliu deklaroi se kompania e përzgjedhur është në kundërshtim flagrant me ligjin e prokurimit publik.

 

“Siç është bërë e njohur, 2 nga 3 segmentet e projektit korruptiv që prish pa dëmshpërblim shtëpitë e qytetarëve, do t’i ndërtojë kompania Salillari. Praktikisht, ajo do t’i mbikëqyrë po vetë punimet tek Unaza, pasi kompania e përzgjedhur në kundërshtim flagrant me ligjin e prokurimit publik është në konflikt të hapur interesi. Kompania INK, që duhet të mbikëqyrë cilësinë e punimeve tek Unaza paguhet nga Salillari si mbikëqyrëse për koncesionin e rrugës së kombit, ku operon së bashku me Kastratin. Kjo është shkelje flagrante e ligjit të Prokurimeve. Qëllimi është i qartë dhe një i vetëm; të vidhet çdo qindarkë në kurriz të qytetarëve shqiptar. Salillari të bëjë sikur punon dhe INK, që merr para në një projekt tjetër nga Salillari, të bëjë sikur gjithçka është në rregull.”

 

Balliu i kërkoi prokurorisë që të mos qëndrojë pasive por të hetojë këtë rast.

 

“Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të mos qëndrojë pasive në akte të tilla të shkeljes së ligjit, që kanë si bazë marrëdhënien korruptive, vjedhjen e parave publike duke mashtruar me cilësinë e punimeve. Deri tani, prokuroria është sjellë si zgjatim i Edi Ramës, duke lënë në harresë shumë dosje abuzimesh të kësaj qeverie, veçanërisht dosjen e DH Albania, kompania fantazmë që u shpall fituese e tenderit të parë dhe do të merrte 40 milion euro  para publike. Vjedhja e miliona eurove është  arsyeja pse Edi Rama nuk pranon dialog me qytetarët e Unazës së Re, që janë në mbrojtje të ligjshme të banesës së tyre.”

 

Balliu gjatë deklaratës lëshoi edhe një mesazh për qeverinë në emër të banorëve të Unazës së Re.

 

“Në emër të banorëve të Unazës, mesazhi për qeverinë për të zgjidhur këtë konflikt është Dialog dhe JO dhunë! Siç pohojnë edhe Kombet e Bashkuara, dëbimi i qytetarëve nga shtëpitë është shkelje e të drejtave të njeriut! Mos e shtoni më shumë faturën për shqiptarët, duke detyruar banoret e unazës së re ta çojnë çështjen në Strasburg dhe ta fitojnë!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *