Nga Olta Blaceri
Sot në orën 17:00, Partia Demokratike organizon protestën e parë para Kryeministrisë në këtë vit elektoral.
Protesta u thirr pas intervistës së ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili akuzoi qeverinë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe vetë liderin e mazhorancës për korrupsion dhe shpenzime luksi.
Duke u mbështetur në deklaratat e ish-numrit dy të qeverisë, Arben Ahmetaj, kreu i PD, Sali Berisha, u bëri apel qytetarëve të bashkohen me opozitën dhe të protestojnë kundër një kryeministri i cili, sipas tij, shpenzon 33 mijë euro për një shishe verë, udhëton me avion charter, por lë pa ilaçe dhe pa mjekim qytetarët që vuajnë nga sëmundje të rënda.
Ndryshe nga protestat e fundit që kanë pasur në fokus bllokimin e akseve kryesore në Tiranë, këtë herë demokratët do të mblidhen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para selisë së qeverisë, ku do të flasin disa prej figurave kryesore të koalicionit opozitar. Natyrshëm, fjalimi më i rëndësishëm është ai i kryetarit të PD, Sali Berisha, i cili pritet të skicojë edhe rrugën e opozitës drejt zgjedhjeve të 11 majit dhe përballjes me kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste.
Ndërkaq, Policia e Shtetit ka angazhuar 1 mijë efektivë për të garantuar mbarëvajtjen e protestës. Prej orës 14:00 deri në mbrëmje, kur të përfundojë protesta, nuk do të lejohet qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërkohë që do të ketë kufizime të lëvizjes edhe në disa akse rrugore. /vizionplus.tv





