Në datën 15 mars Partia Demokratike do të protestojë kundër mbylljes së rrjetit social Tik Tok. Pak minuta pasi qeveria njoftoi ndalimin e Tik Tokut, kryetari i PD Sali Berisha deklaroi se ky vendim është akt censure që merret dy muaj para zgjedhjeve.
“Sot në kulmin e fushatës elektorale, narkopadrinoja i Shqipërisë, Toto Rino apo El Çapo, njoftoi vendimin e narkoqeverisë së tij për ndalimin e TikTokut për 12 muaj. Me datën 15 mars protestë e përgjithshme kombëtare në sheshin ‘Skënderbej’ para kryeministrisë. Një protestë në të cilën kërkohet anulimi i menjëhershëm i vendimit për censurën dhe bllokimin e TikTokut”, tha Berisha.
Lexo edhe :
Related Posts
Sipas Berishës mbyllja e TikTok-ut s’ka lidhje me ngjarjen e rëndë në Tiranë, ku mbeti i vrarë një nxënës 14-vjeçar, por dëshmon panikun e qeverisë ndaj kritikave në këtë platformë komunikimi.
“T’u heqësh shqiptarëve të drejtën e përdorimit të TikTokut dëshmon se çfarë arbitrariteti. Ripërsërit ekzakt atë që bënte Enver Hoxha, Spiro Koleka, Kristaq Rama gjatë diktaturës, të cilët valëve të radios dhe televizioneve perëndimore u vinin zhurmues në të katër anët e vendit. Me këtë rast ftoj të gjithë gjimnazistët, të gjithë të rinjtë, të gjithë qytetarët të nisim betejën për çlirimin e TikTokut dhe përmbysjen e narkodiktatorit”, tha Berisha.
Kryetari i PD Berisha theksoi se krahas protestës opozita do të shohë çdo mundësi për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për mbylljen e Tik Tokut./vizionplus.tv







