Opozita depozitoi në parlament raportin e saj në lidhje me kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e ish-numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, doli para medias së bashku me 4 anëtarët e tjerë demokratë në këshillin e mandateve dhe imunitetit për të deklaruar se opozita do të votojë pro heqjes së imunitetit të Ballukut.
“Ne jemi pro kërkesës së SPAK-ut. Pro drejtësisë. Pro barazisë përpara ligjit. Prokuroria ka dokumentuar në mijëra faqe prova se bashkëpunëtorja e Edi Ramës, ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ka abuzuar me detyrën dhe në mënyrë korruptive ka paracaktuar garën për 11 procedura publike me vlerë 1.1 miliardë euro”, tha Gazment Bardhi.
Bardhi shpjegoi se prokuroria e posaçme ka sjellë gjithsej 80 prova, të ndara në 12 volume, ku janë renditur faktet penale për të cilat dyshohet deputetja Belinda Balluku. Dhe sipas Bardhit, SPAK-u ka sjellë argumente të mjaftueshme për imunitetin e zonjës Balluku.
“Sipas prokurorisë, ajo i ka shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit shqiptar dhe rrezikon deri në 35 vite burg. Po sipas prokurorisë, gjatë këtyre muajve, ajo po prish provat dhe po kërcënon dëshmitarët, përmes grupeve kriminale dhe përmes vartësve të saj”, shtoi Bardhi.
Kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, vuri në dukje se sipas komisionit të Venecias, imuniteti synon të mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit, jo të deputetëve të veçantë, si rezultat i procedimeve penale me sfond politik ndaj deputetëve të veçantë. Ndaj sipas Bardhit, në këtë rast parlamenti nuk mund të votojë ndryshe përveç se pro.
“Nëse Kuvendi do të vlerësonte që një masë e caktuar sigurimi është më e përshtatshme sesa një tjetër, apo një masë e caktuar sigurimi është e mjaftueshme, kjo do të përbënte ndërhyrje në kompetencat e pushtetit gjyqësor dhe për pasojë ndërhyrje të drejtpërdrejtë, në mënyrë antikushtetuese, në hetimin penal”, tha ai.
Mazhoranca dhe opozita në këshillin e mandateve nuk ranë dakord për kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndaj në parlament do të shkojnë dy raporte, ai i opozitës dhe ai i Partisë Socialiste.
Imuniteti i një deputeti hiqet vetëm në rast se 71 deputetë të kuvendit votojnë pro kërkesës së SPAK-ut, ndaj fati i Belinda Ballukut mbetet në dorën e Partisë Socialiste.





